Lajme

E thotë Baton Haxhiu: Vetëvendosje po i do me çdo kusht këto tri ministri

10/30/2019 23:30
nga:Gazeta Blic

Publicisti Baton Haxhiu tha se Vetëvendosja dhe LDK-ja nuk i kanë të pakta dallimet për të arritur një koalicion qeverisës, sidmos në qasjen ndaj qeverisjes ekonomike.

Ai po ashtu tha se tri ministritë e sundimit të ligjit do të jenë thuajse kërkesa ultimative të Vetëvendosjes ndaj LDK-së.

“Ngadalësimi i qeverisë është për shkak se fillimisht ndërtimi i qeverisë nuk shkon para certifikimit të rezultateve që është formale. Pastaj dallimi mes VV-së dhe LDK-së nuk janë të pakta sidomos në qeverisjen për ekonomi. VV-ja ka paragjykuar në njëfarë mënyrë pikat referente që ajo ka synim. Nëse ajo ka thënë se ne kemi sundimin e ligjit arsye kryesore pse Kosova duhet të ndryshojë atëherë me sundim të ligjit nënkuptojmë që tri ministritë që synon VV-ja janë gati kërkesa ultimative”.

“Kjo ka të bëjë me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme, por pse jo edhe Ministrinë e Mbrojtjes, e cila është e kontrolluar krejt nga SHBA-të nga brendia. Por ajo e ka një simbolikë të fuqisë, të propagandës apo të PR në momente të caktuara kur ka mungesë të rezultateve ekonomike, të cilat nuk mund të jenë të shpejta. Këtu janë ato shtizat që do të thyhen”.

“Pika dy ku nuk mund të pajtohen janë çështjet ekonomike që kanë të bëjnë me shtetëzimin që VV-ja ka pasë pikësynim, sidomos për fondin e famshëm të proklamuar ku aksionarë do të jenë qytetarët dhe diaspora në të gjitha asetet publike”.

Haxhiu në Analiza Zgjedhore ka thënë se LDK-ja nuk do të pranonte që të përballet me probleme ekonomike dhe që VV-ja t’i ketë ministrinë për të cilat ka më shumë populizëm.

“LDK natyrshëm nuk do të duhej të pranonte apo në një mënyrë është vështirë të pranojë që asetet kryesore propagandistike t’i takojnë VV-së, e ajo të sfidohet me problemet ekonomike, të cilat janë serioze pas një kohe mosqeverisje në Kosovë sidomos kur gati për një vit Haradinaj e ka sjellë në një krizë morale për shkak të ngurtësisë tij me taksën dhe me përplasjen me bashkësinë ndërkombëtare”.

Sa i përket emërimit të Lutfi Hazirit shef të Ekipit Negociator me Vetëvendosjen, Haxhiu tha se ka qenë e nevojshme që të plotësohet treshja bashkë me Lumir Abdixhikun dhe Avdullah Hotin.

“LDK nuk e ka pasë plotësuar treshen e saj. Në negociata kanë shkuar vetëm Lumir Abdixhiku bashkë me Avdullah Hotin. Nuk ka mundur edhe më herët edhe tash që këto negociata të mbahen pa Kujtim Shalën, i cili si duket me arsyet e veta është tërhequr. Nga ana tjetër ka qenë treshja e VV-së me një nënkryetar dhe natyrshëm dyshja e LDK-së është dashur të plotësohet me Lutfi Hazirin”.

“Kur ka këso lloj fotografie në mungesë të një personaliteti apo nënkryetari të LDK-së lind imagjinata për plot probleme. Edhe kjo fotografi e sotshme mes Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit mund të jetë ndonjë takim që është paraparë më herët dhe është një provokim më shumë për të ndërtuar një imagjinatë tjetër”.

“Këto mesazhe janë të kuptueshme kur s’ka ende rezultat të negociatave. Posa të ketë një rezultat nuk ka nevojë për këso takime. Momentalisht janë prekja e pulseve për gjërat që janë në zhvillim e sipër”.

11/12/2019 15:03

​Bashkia e Tiranës sulmon VV-në: Jeni votuar për të qeverisur Kosovën, jo për të…