Lajme

E thotë Anton Quni: Zgjedhjet të domosdoshme, këto janë partitë që do të ndëshkohen me votë

07/31/2019 15:18
nga:Gazeta Blic

Anton Quni, deputet nga radhët e LDK-së, njëherit edhe kryetar i sapozgjedhur i LDK-së, në degën në Prizren, për “Bota sot”, ka thënë se vendi është në një situatë tejet të rëndë.

Sipas tij, kjo situatë nuk është për shkak të dorëheqjes të ish-kryeministrit Haradinaj, por për shkak të keqqeverisjes për gjatë gjithë këtij mandate.

Ai, ka shtuar se LDK-ja, në vazhdimësi ka ngritur shqetësimet në lidhje me shkeljet dhe keqpërdorimet e njëpasnjëshme.

“Pa dyshim që vendi gjendet në një situatë tejet të rëndë, por, kjo situatë nuk është vetëm rezultat i dorëheqjes së kryeministrit, por është rezultat i keqqeverisjes përgjatë gjithë këtij mandati. Vendi ynë ka shënuar regres të madh pothuajse në të gjitha fushat. Ne, LDK-ja, në vazhdimësi kemi ngritur shqetësimet tona, në lidhje me shkeljet dhe keqpërdorimet e ndodhura, si në qeverisjen e brendshme të vendit, po ashtu edhe në politikën e jashtme”, tha ai.

Deputeti Quni, u shpreh se pushteti aktual, prej fillimit nuk kishte as vizion e as program të mirëfilltë qeverisës dhe për rrjedhojë nuk kemi liberalizim të vizave, përkundër premtimeve që janë dhënë.

“Koalicioni PAN ishte ndërtuar mbi interesa grupore dhe si i tillë edhe ka funksionuar përgjatë gjithë qeverisjes së tyre. Pothuajse në të gjitha raportet ndërkombëtare, Kosova renditet keq si në aspektin e sigurisë po ashtu edhe në luftimin e krimit e te korrupsionit. Prandaj, edhe nuk kemi as sot liberalizim të vizave, përkundër premtimeve të përditshme që ky pushtet u bënte qytetarëve”, tha ai.

Quni, shtoi se tash është një situatë kur pothuajse asnjë mekanizëm shtetëror nuk është në funksion të detyrave dhe përgjegjësive përkatëse.

Sipas tij, është pamundësuar edhe ushtrimi i rolit monitorues opozitar përmes organeve parlamentare, për shkak të mosfunksionimit të parlamentit dhe paqartësive e kaosit të krijuar qysh se kryeministri dha dorëheqje e kabineti i tij është krejtësisht jo funksional.

“Atëherë mund të ju them lirisht se, Kosova po kalon nëpër periudhën më të vështirë, që nga ekzistimi i saj si shtet”.

“Prandaj, zgjedhjet e reja janë e vetmja mundësi që vendit t’i kthehet normaliteti. Shkuarja në zgjedhje, nuk është më vetëm kërkesë e opozitës, por në rrethanat e krijuara së fundmi, janë nevojë urgjente për dalje nga qorrsokaku në të cilin Kosova është futur. Kjo edhe për arsye se krahas krijimit të legjitimetit demokratik, në demokraci zgjedhjet janë mjet i kontrollit politik, mjet që rikthen qytetarin në qendër dhe i bën përcaktues të së ardhmes së tyre përmes votës që japin”, theksoi Quni.

Ai, më tej, pohoi se LDK-ja është e bindur se votuesit tashmë do t’i ndëshkojnë partitë që e sollën Kosovën në këtë situatë, ndoshta më të keqën që nga paslufta.

“Ne, LDK-ja jemi të bindur, që votuesit kësaj radhe do t’i ndëshkojnë partitë që e sollën Kosovën në situatën më të keqe që nga paslufta. Zhgënjimi qytetar do të përkthehet me ndëshkim me votë, dhe kjo është edhe arsyeja që ka një tendencë për të penguar shkuarjen në zgjedhje”, tha ai.

Për Qunin, LDK-ja është e sigurt, se nuk ka mundësi tjetër për ta nxjerrë vendin nga i gjithë ky kaos institucional e qeverisës, përveç zgjedhjeve, si mundësi e vetme, për t’i hapur vendit tonë një tjetër kapitull në historinë e tij – kapitullin e rikthimit te mirëqeverisjes, sigurisë, mirëqenjes dhe prosperitetit në vend, përmes besimit me votë që do t’i jepet LDK-së për të qeverisur.

08/19/2019 01:58

Aksident tjetër me fatalitet