Lajme

“E ka thënë si aleat, prej zemrës së plastë”, Hasani komenton deklaratën e Hovenier

10/02/2024 22:07
nga:G C

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e ka cilësuar si metaforë legjitime komentin e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, i cili ditë më parë tha që “nëse dëshironi t’i bashkoheni një klubi, mos urinoni në dyert e shtëpisë së klubit”, Ssi kritikë ndaj qeverisë kosovare dhe raportit me organizatat të cilave ajo po do që t’iu bashkohet.

“Ajo është metaforë legjitime. Metaforë e pranueshme pa asnjë problem. Kemi raste krejtve kur i kanë thanë për në Qipro, po ia harroj emrin presidentit të kohës, [Xhimi] Karteri, kur ka folë edhe 100 herë ma flliqtë se këtu se nuk ma nxjerr goja, kur ka thanë duhet me e vetë parlamentin kur ka qenë konflikt me Turqinë. ‘Na t’u dhanë miliarda, ti po më kallëzon mu’”, ka thënë Hasani te DPT Te Fidani.

“Gjeopolitika nuk shkon me ato. Ai të ka thënë ma së pari si aleat, prej zemrës së plastë, unë qeshtu e kam lexu. E dyta, ka tregu në mënyrë metaforike seriozitetin e pozitës të cilën ne e kemi futë veten”.

Ndryshe, Ambasadori Jeff Hovenier në fjalën e tij në Samitin për Paqe dhe Demokraci që po mbahet në Prishtinë, kishte folur për aspiratat e Kosovës për integrim në BE dhe NATO.

Hovenier ka thënë se është e paimagjinueshme që Kosova të synojë anëtarësimin në këto organizata në ndërkohë që s’ka progres në dialog dhe kur ekzistojnë vende brenda BE-së dhe NATO-s që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Diplomati amerikan për këtë kritikë drejtuar lidershipit kosovar ka përdorur një shprehje të gjyshit të tij.

“Gjyshi im njëherë thoshte dhe më falni për natyrën paksa të pagdhendur të saj [thënies]: Nëse dëshironi t’i bashkoheni një klubi, mos urinoni në dyert e shtëpisë së klubit”, ka thënë Hovenier.