Sporti

E jashtëzakonshme: Tifozi udhëton me biçikletë nga Polonia në Kosovë për ta shikuar ndeshjen Llapi – Wisla Krakow!

07/18/2024 12:39
nga:Lorik J

Nga Krakova në Podujevë – me biçikletë! Një rast unik ka ndodhur ditët e fundit. Tifozi i ekipit polak, Wisla Krakow, Bartosz Sowizdraniuk ka mbajtur premtimin e tij.

Ai u nis me biçikletë nga Krakowa në Podujevë – dhe bëri 12 ditë për të arritur nga Polonia në Kosovë.

Tifozi i flaktë i ekipit polak flet ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ për këtë rrugëtim të tij të jashtëzakonshëm, ku thotë se ishte tepër sfiduese edhe shkaku i temperaturave të larta.

“Pjesa më e vështirë për të ardhur në Kosovë ishte “lufta” me temperaturat e larta. Ishte problem të arrija këtu në ato temperatura, pa u dehidruar, kam pirë nga 13 litra ujë ditë. Vendosa ta bëja këtë një ditë para finales së Kupës së Polonisë, ku isha ulur para kompjuterit, dhe thashë: Çka nëse fitojmë nesër? Pastaj vendosa, nëse fitojmë, do të shkojë me biçikletë – kudo që do ta kemi ndeshjen e parë në Europë”, tha fillimisht Bartosz Sowizdraniuk.

Ai thotë se eksperienca në Kosovë është shumë e mirë.

“Eksperienca në Kosovë është shumë e mirë, njerëzit janë miqësor. Gjëja më interesante në udhëtimin tim ishin pamjet e bukura dhe njerëzit nga çdo shtet që kalova, pasi të gjithë interesoheshin në atë se çka jam duke bërë”, vazhdoi ai.

Më herët, Bartosz nuk dinte shumë për Kosovën, por tani thotë se i ka hyrë në zemër dhe s’do ta harrojë kurrë.

“Kosova gjithmonë do jetë në mendjen time si vend special, për shkak të këtij udhëtimi, sepse jo të gjithë mund të vijnë kështu nga Polonia në Kosovë. Kam bërë diçka të paimagjinueshme, sepse shumë shokë nuk besuan se mund t’ia dal, tani Kosova është në zemrën time”, potencoi Bartosz Sowizdraniuk.

Kthimi i tij në Poloni nuk do bëhet me biçikletë – por me aeroplan bashkë me lojtarët e ekipit polak.

“Në Poloni kthehem me ekipin, me aeroplan. Ata ma mundësuan këtë”, përfundoi ai.

/GazetaBlic Sport/