Kryetari i Komunës së Gjakovë, Ardian Gjini, njëherësh nënkryetar i AAK-së, është pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Ai në një intervistë me Astrit Gashin në Blic Interview, ka folur për tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje, ku prezantoi kandidatët për deputetë e ku u paraqit vetëm me flamurin kombëtar e jo simbolet shtetërore të Kosovës.
Gjini thotë se kjo është e frikshme dhe e rrezikshme, derisa vlerëson se po instalohet një mendësi thuajse shqiptarët e Kosovës nuk e duan Kosovën, nuk e duan shtetin e Kosovës.
“Ne jemi një brez i gjeneratave të shumicës në Kosovës që jemi shqiptarë etnikë, për dekada jemi rritur me flamur kombëtar dhe ndjenjat për të janë të larta, por shfrytëzimi i tyre është gabim serioz, është brutal shfrytëzimi i tyre dhe është mohim i pavarësisë së Kosovës, që për mua është i frikshëm, i rrezikshëm. Po instalohet një mendësi thuajse shqiptarët e Kosovës nuk e duan Kosovën, nuk e duan shtetin e Kosovës, po udhëheq kjo mendësi shumë e rrezikshme, është kontraproduktive, antipatriotike, sepse himni i Kosovës, flamuri, shpallja e pavarësisë së Kosovës pavarësisht që ka qenë diçka e re si simbolikë, është shteti ynë për të cilin kemi bërë shumë, por s’duhet harruar pjesën tjetër që për të kanë bërë investim të madh shumëkush tjetër. Dikujt mund t’i duket e çuditshme por pa SHBA-të dhe një pjesë të madhe të shteteve të BE-së, ne do të ishim ose refugjatë, ose duke luftuar ende, e dhe sot, edhe pas 25 vitesh. Kosova si shtet është produkt i vullnetit tonë për të qenë të lirë, produkti i këtij procesi tepër të vështirë është kjo Kosovë dhe ne duhet kthyer trakën pas ta kujtojmë vetveten. Me e pas një parti në pushtet që e mohon emocionin e një Kosove të pavarur”, ka thënë ai.
Sipas Gjinit, është tepër e keqe loja me ndjenjat e njerëzve nga ana e VV-së.
“Nëse e kanë fals dhe vetëm për të mashtruar elektoralisht është jashtëzakonisht keq sepse këto manipulime prodhojnë efekte që nuk mund t’i kontrollojnë. Edhe VV po i eksploron këto ndjenja, pa u lodhur fare se çka mund të prodhojnë ato. Nëse e kanë fals është tepër keq, por edhe nëse e kanë njëmend është tepër keq, nuk e di se cila është më keq por e di që ky eksplorim i tillë kjo lojë me ndjenjat e njerëzve, qeverisja e Kosovës me simbole krejt tjera është shumë problematike dhe po u jep disa prej elementeve”, ka vlerësuar nënkryetari i AAK-së.
Ai thekson se Kurti s’mund të kërkojë njohje nga askush, derisa vet e mendon Kosovën si shtet të përkohshëm.
“I lus qytetarët të mos bien në këto gracka. Ja t’ju tregoj se çka prodhon. Nëse Kosova, qeveria, VV, i mohon simbolet e shtetit, e përmend dhe që Kosova është projekt i përkohshëm. E ka përmendur Liburn Aliu, s’ka reaguar askush nga Qeveria, përderisa në evente i përdorin vetëm simbolet kombëtare, tregon se pajtohen pa e thënë me fjalë me atë që ka thënë Liburn Aliu. Nëse kryeministri kërkon njohje nga Serbia, Spanja e të tjera, e në anën tjetër thotë se Kosova është shtet i përkohshëm, si pret që të të njohë dikush, kjo është absurde, ky po i thotë mos na njihni se as ne nuk e kemi seriozisht në këtë punë. Kjo është një nga efektet. Nuk ka gjasa me të njohë Serbia, as të ketë integrim të serbëve në Kosovë e as njohje nga vendet jonjohëse. Askush nuk të njeh nëse nuk e njeh veten. Janë shkatërruese. Në anën tjetër, e dëmton atë patriotizmin normal”, ka deklaruar Ardian Gjini.