Lajme

Dy dekada nga bombardimet e NATO-s

03/23/2019 08:27
nga:A. R.

Të dielën mbushen plot dy dekada nga fillimi i sulmeve ajrore të NATO-s në Kosovë kundër caqeve ushtarake e policore serbe.

Sulmet e filluara më 24 mars 1999 kishin zgjatur gjithsej 78 ditë. Synimi i bombardimeve të NATO-s ishte ndalimi i gjenocidit serb që po ushtrohej mbi popullatën civile të Kosovës, ku nga vrasja e maltretimi nuk po kursehej askush, përkundrazi pareshtur po vriteshin e po masakroheshin gra, burra, pleq e fëmijë.

Ishte viti 1999. Shqiptarët në Kosovë po vriteshin e po masakroheshin. Agresioni serb i ushtruar mbi popullatën e pafajshme tanimë kishte marrë përmasat e një tragjedie. Në rrethana të tilla askush nuk e besonte që 24 marsi i atij viti do të mbetej përjetë në kujtesën e shqiptarëve.

Një gjë të tillë nuk e kishte imagjinuar as 36-vjeçari Xhevat Dervishi, i cili në kohën kur forcat paqeruajtëse të NATO-s nisën bombardimet mbi caqet serbe në Kosovë ishte vetëm 17 vjeç. Por për Xhevatin, sikurse për gjithë shqiptarët, 24 marsi u bë dita e tij e paharruar. Luftës po i vinte fundi. Lotët e dhimbjes e të vuajtjes po ktheheshin në lot gëzimi e shprese.

Ardhja e përvjetorit të kësaj date 36-vjeçarit nga Kopiliqi i Epërm i Skenderajt pa dyshim që ia sjell të freskëta edhe kujtimet për babanë e tij, i cili u vra nga forcat paramilitare serbe pak ditë pasi bota i kishte kthyer sytë kah Kosova. “Edhe sot pas 20 vjetësh 24 marsi ma kujton babanë tim, i cili 18 ditë pas fillimit të bombardimeve ra në altarin e lirisë në përballje me forcat armike”, shprehet Xhevati teksa flet me emocion rreth 20-vjetorit të fillimit të intervenimit të NATO-s në Kosovë. Oshtimat e avionëve të NATO-s për Xhevatin ishin zërat e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

“Zëri i avionëve të NATO-s ishte zëri i të rënëve dhe i luftës çlirimtare që kishte filluar vite më parë në Kosovë”, vazhdon ai.