Lajme

Dukuria e krijimit të identitetit te të rinjtë, psikologia tregon ndikimin e rrjeteve sociale dhe presionin shoqëror

05/15/2024 09:59
nga:N K

Në shoqërinë e sotme janë shumë të pranishme implikimet dhe transformimet e identiteteve dhe ndryshimet fiziket e emocionale, të ndikuara nga presioni shoqëror dhe teknologjia.

Lidhur me këtë, në një prononcim për GazetaBlic, flet psikologia klinike Teuta Cacaj Sadiku, ku thotë se këto ndryshime i përfshin më shumë mosha e adoleshencës me një fazë të ndjeshme të zhvillimit.

 “Shumica e studimeve paraqesin fillimin e adoleshencës dhe adoleshencën si tërësi- si periudhë që karakterizohet nga ndryshime të ndjeshme e të shpejta të gjendjes fizike dhe emocionale, mendime dhe ide të pasistemuara, ndjeshmëri e lartë, momente rebelimi dhe përpjekje të njëpasnjëshme eksperimentimi. Referuar nga kjo, adoleshentët kanë mendime fluide dhe kjo i bën më shpejt të ndikueshëm nga efektet e kohës dhe nga bashkëmoshatarë për të ndryshuar në pamje dhe jo vetëm duke marrë vendime të shpejta dhe jo të mirë menduara”, deklaroi ajo.

Tutje, psikologia tregon për impaktin prindëror në krijimin e indentiteteve dhe pajtimin e tyre me ndryshimet e adoloshencës.

“Institucioni familje ka një rol dhe ndikim shumë të madh në ndërtimin e raportit me fëmijët e tyre. Këtu luajnë rol stilet e prindërimit, mirërritja dhe mirëqenia e fëmijës, që si faktor rrjedhimisht ndikojnë edhe në ndërtimin e një adoleshenti në shumë sfera. Pavarësisht ndryshimeve që ndodhin në adoleshencë, preferohet që familjarët të kenë një komunikim të shëndoshë mes vete dhe të diskutohet se çka është e pranuar e çka jo për paraqitjen fizike të tyre”, tha ajo.

Po ashtu, Cacaj Sadiku tregoi ndryshimin e interesave dhe aktivitetet të një pjese të shoqërisë, në krahasim me një dekadë më parë.

“Nëse kthehemi 10 vite më herët gjejmë ndryshime të mëdha në shumë sfera e sidomos në interesat dhe aktivitetet e fëmijëve referuar moshës 12-15 vjeç. Nga disa hulumtime të realizuara në vend, paraqitet një rënie e motivimit të përgjithshëm krahasuar vite më herët, duke vazhduar me një tjetër fenomen mjaft shqetësues që është edhe rritja e numrit të nxënësve që po braktisin shkollën, gjithashtu nivel i lartë stresit, ankthit dhe depresionit, rritja e agresivitetit, bullizmit dhe dhunës, qoftë ajo fizike, verbale apo psikologjike si dhe mungesa vetëbesimit dhe vetëvlerësimit” theksoi ajo.

Të menduarit e tepërt - Telegrafi - Telegrafi

Psikologia Cacaj thotë se edhe periudha e teknologjisë dhe mediat sociale kanë ndikim tek njerëzit sa i përket komunikimit dhe krijimit të identitetit të tyre.

“Po flasim për periudhën e teknologjisë që në mënyrë masive ka rrëmbyer vëmendjen e gjithë njerëzimit e sidomos vëmendjen e fëmijëve dhe adoleshentëve. Këto shpikje të avancuara teknologjike në të vërtetë kontribojn për një jetë më të lehtë për të marrë informacion në kohën kur duam dhe interesin që kemi. Mirëpo, në vendin tonë nuk ka kontroll mbi përdorimin e rrjeteve sociale dhe nuk ka ligj që mbron integritetin e fëmijëve. Prandaj, qasja nga kjo grup-moshë në rrjete sociale është e lehtë, e pa-menaxhueshme dhe nuk ka kontroll. Kjo lejon që si fëmijët ashtu edhe adoleshentët të kenë qasje në gjëra që nuk përkojnë me moshën e tyre dhe të cilat mund të ndikojnë negativisht në shumë sfera. Në këtë grup-moshë preket më së shumti fusha e komunikimit, e cila nuk zhvillohet si pasojë e teknologjisë dhe të qendruarit për kohë të gjatë para ekraneve”, potencoi psikologia.

“Meqë kjo periudhë konsiderohet edhe periudha e krijimit të identitetit, ata sigurisht janë shumë të ndikueshëm nga çka ju servohet në rrjetet e ndryshme sociale dhe ajo se çka konsiderohet aktuale dhe trendi. Kjo rrjedhimisht ndikon edhe në identitetin e tyre për gjatë stadit të zhvillimit”, theksoi tutje ajo.

Për në fund, psikologia tha se në gjendjen psikologjike të personave në përgjithësi, por sidomos mosha e adoleshncës ndikon negativisht duke abuzuar.

“Sipas studimeve koha e kaluar në kërkim, biseda, flirtim virtual si dhe shikimi i fotove nga jeta e përditshme e shoqërisë në mënyrë të vazhdueshme dhe duke abuzuar me kohën ndikon negativisht në gjendjen psikologjike. Fëmijët dhe adoleshentët fillojn të bëhen antisocial, fillojnë të humbasin miqtë, rritet niveli i zemërimit, stresit, ankthit dhe depresionit, si dhe rrezikshmëria është shumë e lartë e vetë-lëndimit dhe vetë-vrasjes si pasojë e bullizmit kibernetik dhe jo vetëm”, përfundoi psikologia Teuta Cacaj Sadiku./Gazeta Blic/