• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Drizan Shala: Krimet e rënda në Kosovë kërcënojnë sigurinë, institucionet duhet të veprojnë urgjentisht

7 ditë më parë
nga:G C

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, për “Expose”, prodhim i GazetaBlic, theksoi se institucionet e Kosovës, përfshirë ato ligjzbatuese dhe sistemin gjyqësor, duhet të hartojnë një strategji të përbashkët për të adresuar rrezikun e rritjes së krimeve dhe vrasjeve.

Sipas tij, vonesat në proceset gjyqësore dhe neglizhenca e institucioneve po e rrezikojnë sigurinë publike dhe shtetërore, duke i dhënë mundësi grupeve kriminale të marrin drejtësinë në duar.

“Tani më është e qartë që institucionet e Kosovës, ato ligjzbatuese, por edhe sistemi gjyqësor, do të duhej të hartonin një strategji të përbashkët dhe urgjentisht të takohen për të përcaktuar qartazi konturat, por njëkohësisht edhe vlerësimin e institucionit të tyre se ku kanë gabuar, sepse rastet e shpeshta në një interval kaq të shkurtër kohor pa dyshim që janë një rrezik përmanent për sigurinë publike dhe individuale, e cila më pas mund të reflektohet te siguria shtetërore dhe qytetarët e Republikës së Kosovës.”

“Prandaj, policia e Kosovës dhe Prokuroria, por njëkohësisht edhe gjyqësori, do duhej që lëndët që janë në sirtarët e tyre dhe që pritet të kenë verdikte, mos të vonohen dhe mos të kemi fare neglizhencë, që më pas kjo çështje të përzgjedhet përmes formave kriminale dhe inkriminuese. Prandaj, edhe veprimet që janë duke u marrë nga grupet kriminale dhe individët kriminale po e shohin si të vetmen mundësi që ta përmbyllin këtë çështje duke marrë drejtësinë në duar.”

Shala gjithashtu theksoi nevojën për ristrukturimin dhe forcimin e institucioneve, duke përfshirë shtimin e personelit adekuat dhe mbështetje të niveleve politike për menaxhimin e situatës.

Ai foli gjithashtu për shqetësimin lidhur me armët ilegale, duke kërkuar fushata serioze dhe të sinqerta për t’i nxitur qytetarët të dorëzojnë armët, pasi ato janë mjeti kryesor në krimet e rënda.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do duhej të hartojë politika konkrete, do duhej që t’i mbështesë organet me çështjet humane, pra me personel adekuat dhe që të kemi një ristrukturim adekuat profesional të ndihmuar nga ana e nivelit politik për të menaxhuar situatën që ka dalë dhe ka devijuar nga konturat e së normales.”

“Lëndët e ngarkuara, lëndët e stërvjetuara janë nga faktorët kryesorë, mungesa e personelit adekuat dhe personelit përkatës për t’i ndihmuar gjyqtarët, prokurorët dhe policët padyshim që e vë situatën në pikëpyetje të sigurisë publike dhe asaj nacionale. Prandaj, shteti i Kosovës do duhej të mendojë në aspektin më formal. Sa i përket edhe elementit kryesor, që tashmë është duke u diskutuar, çështja e armëve ilegale, unë mendoj që armët janë vetëm mjeti që e kryen veprimin, pra në këtë aspekt do duhej të kishim kampanja serioze, kampanja të sinqerta nga ana e nivelit politik për të menaxhuar situatën dhe për t’i nxitur qytetarët që ti dorëzojnë armët ilegale që i kanë”, tha Shala.