Sporti

Drita “blindon” skuadrën, vetëm këta lojtarë mbeten ‘pa kontratë’

06/03/2020 23:03
nga:Lorik J

Klubi Futbollistik “Drita” ka filluar me procesin e rinovimit të kontratave, derisa në javën e parë të këtij ‘misioni’ ka rinovuar me tre ‘Ardianët’ e klubit.

Fillimisht drejtuesit e klubit rinovuan me kapitenin e skuadrës Ardian Limani. ‘Bardhekaltërit’ i ofruan kontratë mbrojtësit 26 vjeçar nga Gjilani deri në vitin 2022, i cili e pranoi me kënaqësi dhe theksoi se nuk kishte as edhe një dyshim për ta hedhur të ‘zezën’ mbi të bardhë.

“Në tri-katër vitet e fundit FC Drita është klubi më serioz në vend. Për më shumë është klubi ku unë jam formuar si futbollist dhe ambicjet e klubit janë në përputhje me ambicjet e mia, kështu që zgjodha pa u menduar rinovimin edhe për dy vite. Tifozëria “Intelektualët” kanë qenë një tjetër arsye e fortë që më kanë shtyrë për ta rinovuar kontratën”, deklaroi Limani për Gazetën “Sheshi”.

Deri në vitin 2022 ‘firmosi’ gjithashtu edhe shefi i shtabit teknik te kjo skuadër Ardian Nuhiu. Tekniku shkupjan ka bindur drejtuesit e klubit me punën e tij, derisa në horizont ka një projekt, i cili ka nisur qysh nga rinovimet.

Në një bisedë për Gazetën “Sheshi” ai kishte numëruar edhe arsyet të cilat e quan atë për të rinovuar.

Korrektësia e tyre që kanë ndaj secilit antarë të klubit edhe në kohët më të vështira siç ishte kjo e pandemisë, ku na qëndruan mbrapa në çdo aspekt, gjithashtu edhe çasja profesionale dhe vizioni që presidentët kanë për klubin, ka bëre që edhe në kohë pandemie të kenë qellim ruajtjen dhe vazhdimin e synimeve për një klub të madh dhe evropian”, kishte deklaruar 41 vjeçari.

Për të kompletuar ‘hat trickun’ e ‘Ardianëve’ u përkujdes mbrojtësi kërçovar Cuculi, i cili ‘firmosi’ po ashtu deri në vitin 2022.

I ardhur nga Kukësi në fillim të këtij edicioni ai ka fascinuar me paraqitje fantastike dhe vetëm dyshim nuk kishte për të zgjatur jetëgjatësinë e tij në klubin gjilanas.

“E falënderoj publikun për mbështetjen që i japin deri tani ekipit dhe ju premtoj që do të jap maksimumin që bashkë me lojtarët e mi të tjerë t’i gëzojmë sa më shumë duke fituar dhe ngritur trofe”, deklaroi Cuculi për Gazetën “Sheshi” .

Por, puna e drejtuesve të klubit ‘bardhekaltër’ duket se ende nuk ka mbaruar. Në mbarim të kontratës janë edhe shtatë futbollistë gjithsej, disa prej tyre edhe nga formacioni bazë.

Darko Tofiloski, Fidan Gërbeshi, Ilir Blakçori, Liridon Leci, Hamdi Namani, Erjon Vucaj dhe i riu Ardit Mustafa, janë futbollistët që do ta përfundojnë kontratën më 30 qershor të këtij viti me klubin gjilanas.

Disa prej tyre mund të rinovohen, ndërkohë që disa të tjerë pritet që të largohen nga skuadra, për t’i bërë vend kështu ardhjeve të reja të cilat priten të zbarkojnë tek dy herë kampionët e vendit pas përfundimit të këtij edicioni.