Lajme

DnV evidenton dy incidente në procesin zgjedhor

1 muaj më parë
nga:N K

Koalicioni i organizatave të Shoqërisë Civile, Demokracia në Veprim ka thënë se në orët e para të mëngjesit janë shënuar dy incidente.

Ismet Kryeziu nga DnV ka thënë se ka pasur mohim të qasjes në informata nga kryesues të vendvotimeve në qendrën “Abdyl Frashëri dhe “Motrat Qiriazi”.

Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, raportoi se 9 për qind nga 2.589 vendvotime janë hapur me vonesë për arsye të ndryshme.

“Është raportuar se shkak i vonesave për hapjen e vendvotimeve me kohë ka qenë mungesa e komisionarëve, në 6 për qind të vendvotimeve”, tha Ismet Kryeziu nga DnV.

DnV po monitoron zgjedhjet parlamentare me 500 vëzhgues që janë të vendosur në 500 vendvotime.

Kryeziu tha se nga të dhënat në terren, në 5 për qind të qendrave të votimit kanë munguar posterët informues për procesin zgjedhor.

Megjithatë, ai tha nuk raportohet për shkelje të rregullave sa i përket vendosjes së kabinave të votimit apo edhe të kamerave, të cilat tha se janë vendosur në pozita që nuk cenojnë fshehtësinë e votës.