Lajme

Djali i zyrtarit të PDK-së emërohet konsull i përgjithshëm në konsullatën që nuk ekziston fare

01/14/2020 09:22
nga:Gazeta Blic

Blendi Kilaj është bërë dëshmitari i parë i jetësimit të një prej premtimeve që, më 12 shtator, babai i tij, që është zëvendësministër i Diasporës, Isni Kilaj, e kishte dhënë për elektoratin e Partisë Demokratike (PDK), shkruan sot Koha Ditore.

Vetëm nëntë ditë pas zotimit të të atit për “realizim ëndrrash”, ai do të propozohej për konsull të përgjithshëm, e më vonë edhe do të emërohej, me dekret, ani se konsullata ku është caktuar nuk ekziston.

“Tani bashkë me ju e kemi një luftë demokratike që duhet ta fitojmë patjetër dhe këtë luftë pa dyshim që do e fitojmë nëse ju na jepni besimin me votën tuaj”, kishte shkruar zëvendësministri Kilaj, përmbajtje kjo që ishte shpërndarë nga Blendi në Facebook. “Ju premtoj që unë do të jem zë shumë i fuqishëm dhe do të bëj punë të palodhur vetëm e vetëm që ëndrrat dhe shpresat e juaja për një Kosovë të zhvilluar e Demokratike të realizohen”.

Zëvendësministri, i cili është një eksponent i moçëm i PDK-së në Malishevë, në zgjedhjet e parakohshme që janë mbajtur në tetor, ka mundur të marrë 5270 vota, e që nuk ishin të mjaftueshme për t’u bërë deputet. Ai vazhdon ta mbajë postin e zëvendësministrit të Diasporës, ndërkaq poste zëvendësministri ka pasur edhe në dikastere të tjera qeveritare. Ka qenë edhe kryetar i Komunës së Malishevës dhe aktualisht është edhe kryetar i Degës së PDK-së në këtë komunë.