Lajme

Disa hektarë livadhe dhe pyje, banesa e shtëpi- pasuria “marramendëse” e mjekut popullor Bio Mulaku

07/17/2024 13:03
nga:Gazeta Blic

Policia e Kosovës e ka arrestuar të martën Nazmi Mulakun, i njohur si ‘Bio Mulaku’, i cili prezantohej si mjek popullor.

Ai dyshohet për ‘Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’ dhe ‘mashtrimit’.

Nazmi Mulaku, i njohur në “TikTok” si Bio Mulaku, publikonte në vazhdimësi video, përmes të cilave pretendonte se po shëronte disa sëmundje, si depresioni etj.

Por, cila është pasuria e saj?

Në bazë të disa dokumenteve që ka parë Gazeta Insajderi, afro 70 mijë metra katrorë i ka të deklaruara livadhe vetëm në Bare të Mitrovicës.

Në të njëjtën zonë, ai ka të deklaruara 6.7 mijë metra katrorë ara dhe 1.900 metra katrorë pyje.

Pos tjerash, ai në Bare të Mitrovicës ka edhe tri parcela për shtëpi: 66 metra katrorë, 529 dhe 811 metra katrorë.

I arrestuari për mashtrim, në bazë të dokumenteve që ka parë Insajderi, ka të deklaruar edhe një parcelë për objekt apartamentesh prej katër mijë metrash katrorë.

Pasuria e tij e patundshme nuk mbaron vetëm në këto dy komuna.

Ai në komunën ku banon ka deklaruar ara, kullosa, pyje, shtëpi e parcela për shtëpi.

Në fshatin Dumnicë të Vushtrrisë, Mulaku ka një arë prej 9,474 metrash katrorë dhe kullosë prej 1,700 metrash katrorë.

Ndërkaq, në Gojbulë të po të njëjtës komunë ka një arë prej afro katër mijë metrash katrorë dhe arë tjetër prej 15 mijë metrash katrorë. Ai në Gojbulë ka në emër të tij edhe pyje në sipërfaqe prej 37 mijë metrash katrorë dhe kullosa prej afro 10 mijë metrash katrorë.

Në qytetin e Vushtrrisë, mjeku popullor i arrestuar ka një shtëpi familjare prej 130 metrash katrorë.

Ndërkaq, në Sanoc të Epërm të Vushtrrisë dy shtëpi të tjera. Njëra 211 metra katrorë e tjetra 140 sosh.

Në bazë të disa raportimeve, pacientët që shkonin për vizitë tek Mulaku paguanin 100 euro. Shumën e njëjtë e paguanin edhe për të shkruarit.

Mulaku aktivitetin e tij e shpërndante me të madhe në rrjetet sociale.

Madje, ai pretendonte se është “shërues i shumë sëmundjeve që ende s’i ka zbuluar as mjekësia”.

Në njërin nga postimet e tij, Mulaku listonte gjithë sëmundjet që pretendonte se i shëronte.

Krahas kësaj ai publikonte edhe video të personave që shkonin për ‘shërim’ tek ai.

Disa qytetarë janë ankuar në adresë të Insajderit lidhur me Mulakun, ku njëri nga ankuesit që kishte qenë “pacient” i tij thotë se i kishte kërkuar 600 euro vetëm për një seancë. Insajderi do të publikojë pas pak në kanalet zyrtare bisedën me viktimën e ‘Bio Mulakut’.