Lajme

Diplomati “Supermen”: Richard Grenell, në pak ditë, arrin dy marrëveshje Kosovë-Serbi

01/24/2020 20:08
nga:Gazeta Blic

Vetëm 4 ditë pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, Kosova dhe Serbia së shpejti mund të rinisin edhe transportin hekurudhor.

I dërguari special i Trumpit për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, në një bisedë telefonike për gazetën “Koha Ditore”, ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja në parim për hapjen e transportit hekurudhor ndërmjet shteteve, raporton KTV.

Grenelli më tutje, ka thënë se gjatë vizitës në Prishtinë dhe asaj në Beograd, të premten ka marrë pajtimin e të dy palëve për këtë marrëveshje, për të cilën nga e hëna pritet të negociohen detajet në nivel ekspertësh.

Derisa këtë marrëveshje ai e ka konsideruar si hap tjetër të rëndësishëm dhe pozitiv,

ka thënë se pret që konkludimi dhe zbatimi i të dy marrëveshjeve të bëhet sa më parë që të jetë e mundur, duke mos dashur të japë data apo afate.

Por, ambasadori Grenell, gjatë qëndrimit të tij këtë të premte në Beograd, ka tërhequr vërejtjen se nëse Prishtina dhe Beogradi nuk arrijnë marrëveshje përfundimtare, SHBA-ja do të tërhiqet nga procesi.

Ai, pas një takimi që ka pasur me presidentin Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Kosova duhet ta heqë taksën, teksa Serbia duhet të ndalojë me përpjekjet e saj për t`i bindur shtetet ta tërheqin njohjen e shtetësisë së Kosovës.

DEK: Richard Grenell – I dërguar i SHBA-së për dialogun

“Ndiejmë një lloj energjie dhe ngazëllimi se po fillojmë të dialogojmë dhe të arrijmë progres. Pra, përderisa po bëjmë hapa përpara, mendoj se do të jemi të përfshirë. Po përpiqem për orientim kah një ardhmëri më e mirë për njerëzit në Kosovë dhe në Serbi. Në duhet të bëjmë gjithçka që të tejkalohet ajo që shihet si konflikt. Nëse palët vendosin se kanë mbaruar së foluri dhe nuk duket një zgjidhje e zbatueshme politike, atëherë do të tërhiqemi, unë do të largohem dhe do të bëj diçka tjetër.”

Ndërsa, Vuçiqi tha se ata kanë folur edhe për transportin hekurudhor, por që sipas tij, paraprakisht Prishtina duhet ta tërheqë vendimin e saj për taksën.

Dek 2: Aleksandër Vuçiq – President i Serbisë

“Siç kemi nënshkruar tashmë të gjitha dokumentet për krijimin e kësaj rruge, them se jemi tashmë të gatshëm. Kjo do të duhej të përshpejtohej, por të shohim edhe me kompanitë amerikane. Tashmë folëm edhe për vendosjen e hekurudhës mes Beogradit dhe Prishtinës, por për këtë, them se duhet hequr taksa, sepse nuk ka kuptim të ekzistojë linja pa mallra. Nuk mundemi të kontrollojmë qeset e njerëzve sa herë që udhëtojnë. Vetëm në një vit, ne humbëm 435 milionë euro.”

Megjithatë, Vuçiqi shtoi se Beogradi është i gatshëm për zgjidhje dhe kompromis, kjo pasi sipas tij, bëhet për të mirën e popullit serb në Kosovë.

Thaçi: E mirëpres qëllimin për ta rivendosur lidhjen hekurudhore Kosovë-Serbi

02/15/2020 15:06

Flet Albin Kurti: Tregon nëse u takua me Grenell në Gjermani