Sporti

Diego Costa shndërrohet në hero, ndihmon në shpëtimin e 100 personave në përmbytjet në Brazil

05/07/2024 11:32
nga:Lorik J

Ish-sulmuesi i Chelseat dhe Atletico Madridit, Diego Costa, ka ndihmuar në shpëtimin e 100 personave nga përmbytjet shkatërruese në rajonin e Brazilit ku ai tani luan.

35-vjeçari përdori xhipin për të ndihmuar në transportimin e njerëzve të bllokuar nga përmbytjet drejt sigurisë dhe gjithashtu thirri miqtë për të ndihmuar, përcjell GazetaBlic Sport.

Fatkeqësia natyrore që ka prekur Rio Grande do Sul ka shkaktuar vdekjen e të paktën 83 personave dhe lëndimin e 276, ndërsa 111 të tjerë mbeten të zhdukur, sipas CNN.

Costa, i cili tani luan për klubin brazilian Gremio, po udhëtonte për në shtëpi nga një seancë stërvitore kur takoi një grup njerëzish nga Eldorado do Sul që kërkonin ndihmë. Futbollisti nuk ka hezituar të veprojë, duke vënë në dispozicion xhipin. Përveç kësaj, ai mobilizoi edhe katër miq të tjerë që sollën jetski, raportoi Cadena SER.