Lajme

“Dialogu po bartet në Washington, Qeveria po heziton”

03/09/2020 09:20
nga:E Sh

Këshilltari politik i presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami, ka treguar më shumë detaje lidhur me takimet që i pari i vendit do të ketë gjatë ditës së sotme me liderët partiakë dhe institucionalë.

“Ashtu siç ka paralajmëruar presidenti në konferencën e fundit për shtyp sot do t’i takojë të gjithë liderët institucionalë dhe politikë për t’i informuar për vizitën që presidenti e kishte në Shtëpinë e Bardhë, State Department, Pentagon dhe institucione të tjera në SHBA”.

“Ai e bëri një prezantim në konferencën për media, por sot do t’i informojë të gjithë liderët institucionalë dhe politikë më detajisht dhe përmbajtësisht për bisedat që ka zhvilluar në Shtëpinë e Bardhë, si dhe për kërkesat dhe pritjet që Shtëpia e Bardhë ka për palën kosovare”.

“Por, në të njëjtën kohë këto takime do të shërbejnë për të diskutuar për tema të tjera të interesit nacional siç është koordinimi në politikën e jashtme kur dihet që presidenti ka rol shumë të madh në këtë pikë që rrjedh nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Sipas Kushtetutës, presidenti është shef i diplomacisë dhe bartës i politikës së jashtme. Natyrisht, në këto takime do të diskutohet edhe për sfidat e tjera që Kosova ka para vetes”.

Behrami në Sytë 7 në Klan Kosova ka thënë se presidenti do të takohet me të gjithë kryetarët e partive, por nuk e ka bërë të ditur nëse edhe kryeministri Albin Kurti e ka konfirmuar këtë takim.

“Sot do të ketë takime me të gjithë liderët institucionalë dhe politikë dhe qëllimi është koordinimi sa më i mirë i Republikës së Kosovës para sfidave që ka. Njëra nga sfidat dhe prioritetet më të mëdha që SHBA-të kanë për momentin është përfundimi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi”.

“Edhe kryeministri, si lider i Vetëvendosjes, por edhe ish-kryeministri Isa Mustafa, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacolli – me të gjithë do të ketë takime të ndara për të diskutuar krejt këto tema”.

Ai ka thënë se ka iniciativë nga presidenti amerikan Donald Trump që procesi i dialogut të bartet në Washington.

“Për herë të parë pas shumë vitesh të negociatave të lodhshme dhe pa rezultat të cilat janë zhvilluar në Bruksel kemi iniciativë serioze nga presidenti Donald Trump që procesin e dialogut ta bart në Washington, në Shtëpinë e Bardhë – ku edhe nisi rrugëtimi i lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës dhe aty ku duhet të përfundojë përmbyllja e shtetësisë së Kosovës me anëtarësim në OKB”.

“Një iniciativë e tillë ka mbështetje të madhe popullore, pasi ishte kërkesë në pesë vjetët e fundit e çdo lideri politik që dialogu të udhëhiqet nga SHBA. Ky dialog tani po bartet në Washington. Vizita e presidentit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë e kishte pikërisht këtë simbolikë”.

Sipas Behramit, Qeveria e Kosovës po del kundër kësaj iniciative dhe angazhimi të madh amerikan për përmbylljen e procesit të dialogut.

“Në të njëjtën kohë, kemi pasë disa iniciativa të Qeverisë së Kosovës që janë dukur në opinion publik që janë kundër kësaj iniciative amerikane, meqë edhe në programin e tyre qeverisës thuhet që dialogu duhet të mbahet në Bruksel”.

Ai ka deklaruar se dialogu në Bruksel e ka pasë suksesin e tij, por që tani është koha që i njëjti të udhëhiqet nga SHBA-ja duke mos e përjashtuar mbështetjen e vendeve të BE-së.

“Dialogu në Bruksel, që është mbajtur tash e disa vite, ka qenë në përgjithësi dialog i sukseshëm, pasi janë arritur shumë marrëveshje. Tani është koha që të përmbyllim këtë proces, dhe pa përfshirjen e SHBA-së përmbyllja është utopike”.

“Në të kaluarën të gjitha proceset që janë mbajtur për Kosovën gjithmonë ka pasë unitet ndërkombëtar ku SHBA-të kanë qenë udhëheqës të konferencave dhe kanë bërë bashkë edhe partnerët e tjerë strategjikë të Kosovës. Ne kërkojmë që të ketë unitet ndërkombëtar, sepse do të ndihmojë krijimin e unitetit përbrenda Kosovës në mënyrë që një marrëveshje e tillë të ketë sukses dhe të jetë e implementueshme”.

“Ka unitet ndërkombëtar. Ideja nuk është që ky dialog të zhvillohet vetëm nga Amerika duke përjashtuar të gjithë të tjerët. Ideja është që ajo që ka ndodhur në Bruksel me lehtësimin e BE-së dhe me mbështetje të SHBA-së tash të ndodhë e kundërta – të bartet në Washington, të udhëhiqet nga SHBA-ja dhe të mbështetet nga shtetet kyçe të BE-së si Gjermania, Franca dhe shtetet e tjera”.

Këshilltari politik i presidentit ka inisistuar se Qeveria e Kosovës ka krijuar përshtypjen se ka hezitime që dialogu të kalojë në duart e SHBA-së në krye me presidentin Donald Trump.

“Pati disa iniciativa dhe kërkesa të SHBA-së për largimin e menjëhershëm të taksës. Këto kërkesa amerikane nuk u përfillën në tërësi, ose u përfillën pjesërisht nga Qeveria e Kosovës. Reagimet amerikane ishin që veprimet e pjesshme nuk janë të dobishme për të lehtësuar këtë dialog”.

“Nga shumëkush është krijuar përshtypja që Qeveria e Kosovës heziton që dialogu të bartet në Washington, por nuk është vonë që të kuptohet rëndësia që ky dialog të mbahet në SHBA. Kosova, si shtet i pavarur, është bërë falë vullnetit të popullit të Kosovës për t’u bërë i lirë dhe i pavarur dhe mbështetjes amerikane”.

04/10/2020 13:27

Kurti propozoi Ekip Uniteti për negociata me Serbinë, analisti politik përmed 8 faktorë që pse Kurti s’mund ta themeloj