Lajme

Dialogu Kosovë – Serbi vazhdon sot në Bruksel

10/29/2020 07:41
nga:F K

Dialogu Kosovë – Serbi do të vazhdojë sot në Bruksel, pas disa javësh ngërç.

Takimi i sotëm do të zhvillohet pas ftesës që emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për këtë dialog, Mirosallav Lajçak u bëri delegacioneve.

Delegacioni nga Kosova do të udhëhiqet nga koordinatori shtetëror, Skënder Hyseni.

Temë e diskutimit është bërë e ditur se do të jetë zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve.

Me ndërmjetësimin e emisarit Lajçak, në takimin e sotëm delegacionet do të vazhdojnë diskutimin e filluar në takimin e kaluar rreth kësaj çështjeje.

Dialogu Kosovë-Serbi ishte bllokuar pas insistimit të Serbisë që çështja e Asociacionit të diskutohej edhe njëherë në kuadër të dialogut.

Këtë gjë e kishte kundërshtuar pala kosovare, derisa, për t’i pajtuar palët emisari i BE-së, pati një vizitë disa ditore në Kosovë dhe në Serbi.

Ai ka kërkuar kompromise nga Kosova duke thënë se duhet të bëhen ndryshime kushtetuese për t’u dakorduar edhe për këtë pikë. Sipas Lajçak, Kushtetuta e Kosovës nuk është bibël që të mos ndryshohet.