Analisti politik, Fidan Ukaj thotë se gjasat janë minimale që të përfundojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke, gjatë kësaj kohe.
Ukaj në një prononcim për GazetaBlic thekson se, me rëndësi është synimi i ShBA-ve, BE-së dhe Kosovës për këtë çështje.
“Gjasat mund të jenë minimale të realizohet kjo pritje në këtë kohë, por se synimi i ardhshëm, jo vetëm i Kosovës dhe ShBA-së, por edhe i BE-së është njohja reciproke me synimin e anëtarësimit të rajonit në Bashkimin Evropian”
Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi thotë se deklarata e sotme nga ambasadori i ShBA-ve në Kosovë, Jeff Hovenier është deklaratë në parim.
Arifi në një përgjigje për GazetaBlic thekson se, ShBA-ja beson se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë më njohje reciproke, por sipas tij, diçka e tillë është e pamundur të ndodhë, veçanarisht brenda këtij viti.
“Deklarata e Hovenierit është deklaratë në parim, pra parimi është se çka besojnë ShBA-të se si duhet të përfundojë marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, pra me njohje reciproke. Por, duke e parë për momentin se si është tereni në Evropë dhe specifikisht raporti mes Kosovës dhe Serbisë, është e pamundur të arrihet në këtë vit njohja reciproke”, tha Arifi.
Sipas Arifit, një gjë e tillë mund të ndodhë veç atëherë kur ndrrohet Qeveria dhe presidenti serb.
Arifi shton se krahas kësaj, ajo çka ka më shumë rëndësi është se parimi i ShBA-ve nuk ka ndryshuar.
“Kjo mund të arrihet vetëm nëse ndodhë ndonjë e papritur në Serbi, me një Qeveri dhe president krejt të ri, mund të ndodhë të kemi njohje reciproke brenda këtij viti, përndryshe edhe viti 2025 është në pikëpyetje e madhe në mënyrën dhe formën se si Perëndimi e trajton Serbinë, por me rëndësi të madhe është se parimi i ShBA-ve nuk ka ndryshuar”, tha Arifi për GazetaBlic.
Pacolli – Qeverisë: Me injorimin e aleatëve Kosova nuk shkon askund, duhet këndellje e udhëheqësve