Opinion

Dialog ose ndarje të Kosovës

01/27/2017 11:16
nga:Jon Leka

Serbia “sulmoi” veriun me tren. Siç tha Nikoliç për të demonstruar se ajo është Serbi. Opinionistë të ndryshëm hapën debatin për këmbimin e veriut – ndarjen e tij. Opozita refuzon çdo lloj dialogu – edhe ashtu siç kërkon tash e sa vite. Është lufta dhe shpërbërja e shtetit të Kosovës zgjidhja e tüe gjitha porblemeve?

Jon LEKA

Ja le t’i marrim si të vërteta se:
1. Hashim Thaçi paska degraduar dialogun ngase qeveria paska shkuar e papërgatitur në dialog dhe ai si i tillë nuk kishte si të përfundojë ndryshe. Nga atëherë e deri sot dialogu nuk qenka përdorur asnjëherë për ta forcuar shtetin dhe për ta nxjerrë Serbinë nga Veriu, por për ta përforcuar shtetin e Kosovës. Ky është arsyetimi i NISMA- s se pse refuzon thirrjen e Qeverisë për të marrë pjesë në dialog. (Express, 27.01.2017)
2. Kundër dialogut është deklaruar edhe kryetari i AAK – së Ramush Haradinaj. Arsyeja: Prishtina po dëshmon inferioritet dhe përulje ndaj Beogradit. (Po aty).

ANALIZA E QËNDRIMEVE
Leximi implikativ i qëndrimit të parë: Po të kishte shkuar qeveria e përgatitur dialogu do të kishte përfunduar ndryshe. Si? Nuk tregojnë refuzuesit. Por nga sqarimi i mëtejmë le të kuptohet se bëhet fjalë për nxjerrjen e Serbisë nga veriu. Me këtë do të forcohej shteti i Kosovës. Si të ndodhte kjo? Qeveria kosovare të shkonte në Bruksel dhe të jepte ultimatumin: jashtë Serbia – mendohet në strukturat ende paralele – nga Veriu ose nuk flasim më. Deri tashti nuk i llogaritëm BE-në dhe Serbinë aty brenda ngase qëndrimi nuk përfill pothuaj ekzistencën e tyre. Flitet përherë nga perspektiva; ne vendosim vetë!
Ngase BE ka për program integrimin gradual të serbëve për të evituar konflikte do të dënonte ultimatumin e palës kosovare. Serbia mohon të ketë struktura paralele dhe reagon gjithmonë me të njëjtën monedhë: këta s’duan dialog por luftë!
Leximi implikativ i qëndrimit të dytë: Është i ngjashëm me të parin. Serbia saboton vazhdimisht Kosovën ku mundet dhe me një palë të tillë dialogu është i pakuptimtë.

FAKTET
1. Pothuaj asnjë funksionari e primati politik të Kosovës që jep deklaratë publike për dialogun nuk i mungon refreni se “Serbia duhet ta njohë shtetin e Kosovës”. E njëjta vlen sidomos për Hashim Thaçin, Isa Mustafën dhe tjerët përgjegjës e të involvuar drejtpërsëdrejti në dialog.
2. Në qershor të vitit të kaluar kryeministri Isa Mustafa i shkroi BE-së qëndrim zyrtar se pala kosovare nuk është më e gatshme të vazhdojë dialogun në këtë mënyrë kur Serbia vazhdon me politikën e saj të trashëguar nga Millosheviçi duke sabotuar gjithandej e duke përdorur retorikë shoviniste ndaj Kosovës.
3. Nga ajo letër BE ka ulur totalisht intensitetin e bisedimeve në relacionin Kosovë-Serbi, duke pritur që palët t’i realizojnë marrëveshjet paraprake, teknike dhe ato politike. Si nga ana e Serbisë ashtu edhe e Kosovës. Që pas letrës së Isa Mustafës nuk ka pasur më takime serioze të larta ndërmjet dy vendeve.
4. Për shkak të vakuumit që krijuan zgjedhjet në SHBA Serbia me Rusinë ndërmorën një aksion të shkaktojnë një krizë, duke shpresuar përplasje ku do të mungonte perëndimi. Aksioni u dështoi për shkak të dritës së gjelbër të BE dhe NATO që Kosova të veprojë ashtu siç u soll. Gjë që i zmbrapsi serbët dhe i detyrojë të kërkojnë “telefonin e kuq” dhe të shkojnë pa vullnet në Bruksel.
5. Në Bruksel u vendos të vazhdojë dialogu, por jo si deri aty, ngase Serbia “provokoi me trenin dhe donte të dëmtoj sovranitetin e Kosovës dhe të nxisë konflikt” (kështu perceptohet kjo në BE dhe gjithandej). Pra situata erdhi deri tek ajo pikë që e kërkon opozita deklarativisht që se është e tillë (pjesë të saja kanë qenë në të qoftë si parti apo individë dikur).

Pse tash jo dialogut?
Se gjitha këto ndodhin për përforcimin e pushtetit të Thaçit? E kjo donë të thotë se Thaçi i kontrollon serbët, duke i urdhëruar ta sabotojnë dialogun me vite, ta arrestojnë Haradinajn, ta ndërtojnë murin, ta dërgojnë trenin që në fund ata vetë, serbët ta kuptojnë se as me tren nuk e prekin dot sovranitetin e vendit e lere më me diçka tjetër dhe nëse u besojmë fjalëve të Nikoliçit pastaj t’iu thotë dikush në zyrën e Mogherinit se: “Ja, e sheh se këtu është BE dhe kurrë nuk mund të hyni në të nëse nuk e njihni pavarësinë e Kosovës”. Përveç Serbisë dhe Kosovës Thaçi kontrolluaka edhe BE-në, NATO-n, Kfor-in, botën pra? Ky përshkrim tregon se sa e thellë dhe serioze mund të jetë analiza e opozitës.

NDARJA SI ZGJIDHJE
Nëse situata erdhi deri në atë pikë se s’ka dialog kështu – me kontributin e dukshëm të qeverisë kosovare – dhe se ai duhet të jetë “ndryshe, i përgatitur për të përforcuar shtetin e Kosovës”, siç kërkon edhe sot opozita atëherë cila është arsyeja pragmatike e refuzimit të pjesëmarrjes në këtë “përgatitje”? Është refuzim “estetik”, apo ka të bëjë me atë se s’dinë si dhe nuk do ta dinin as po të ishin e po të jenë në pushtet?

Apo ndoshta kanë synim tjetër.
Kështu për arsye se: pa dialog me ndërmjetësimin e BE-së konflikti do të çojë në luftë. Është në natyrën e gjërave që në fund të ndëshkohet sabotuesi i dialogut (Millosheviçi). Do t’i hiqet Kosovës veriu dhe pjesa tjetër do t’i jepet Shqipërisë? Kjo është strategjia magjike e opozitës; të shkatërrohet shteti i Kosovës si projekt i dështuar dhe një Kosovë e minimizuar t’i jepet Shqipërisë dhe ndonjë vendi tjetër, kushdo të marrë pjesë aty?

Nëse kjo është arsyeja se pse opozita nuk pranon dialogun në asnjë formë edhe atëherë kur situata shkon “sipas dëshirës së saj”, siç u dëshmua më lartë, atëherë jo Thaçi dhe Qeveria gjenden nën ndikimin e psikozave që i injekton Beogradi oreçast, por tjerët, për shkak se kontribuojnë në dëshminë se Kosova nuk është e aftë të jetë shtet dhe se duhet hequr dorë nga projekti në favor të ndarjes së saj.

Skenari mirëpo duket të mos ketë gjasa. Për të vetmen arsye: Kosova si e tillë është edhe projekt i aleatëve të saj, sepse, siç duket, po të ishte sa për shqiptarët aty … jo ngase janë tradhtarë, porse si duket ende nuk i kanë krijuar kushtet për tu bërë zot situatash pa i marionetizuar tjerët për të mirën apo për të keqen e tyre.

(Ky koment është shkruar enkas për GazetaBlic)

12/02/2019 22:37

Kosova ka pasur gjashtë qeveri të ndryshme, kjo është historia e koalicioneve