Lajme

Detaje nga vrasja e kosovarit 25-vjeçar në Suedi

01/28/2020 18:19
nga:Norë Kelmendi

Mbrëmjen e së hënës në Kristianstad të Suedisë, policia u njoftua nga qytetarët për të shtëna me armë zjarri. Me të arritur në vendin e ngjarjes, aty u gjet i plagosur një person i cili u dërgua menjëherë në spital. Viktima B.A. nga Mitrovica, vdiq në spital pasi nuk mundi t’u bëjë ballë plagëve të marra.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Kristianstad të Suedisë mbrëmjën e së hënës. Të shtënat me armë zjarri nga persona të panjohur, lanë të plagosur një të ri, i cili u dërgua menjëherë në spital.

Viktima doli të jetë një 25-vjeçar nga Mitrovica, i cili po punonte në një kompani sigurimesh në Suedi.

B.A. vdiq në spital, mëngjesin e së martës, pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Këtë për Gazetën Express e kanë konfirmuar familjarët e viktimës, të cilët kanë thënë se nuk i dinë motivet e vrasjes dhe se familjari i tyre nuk ka pasur probleme me dikë.

Ndërkaq mediat suedeze kanë raportuar për ngjarjen e rëndë, derisa kanë theksuar se ende nuk ka  të arrestuar lidhur me vrasjen, motivet e së cilës janë ende të panjohura edhe për autoritetet suedeze.

“Ne jemi duke vlerësuar vazhdimisht se çfarë burimesh duhet të kemi në vazhdim. Asnjë i dyshuar nuk është arrestuar. Nuk mund të themi shumë për këtë çështje. Shpesh ka ekzaminim teknik në vend. Ne jemi në kërkim të dëshmitarëve”, kanë thënë autoritetet suedeze, shkruajnë mediat e atjeshme.

Policia nga vendi i ngjarjes kishte bërë të ditur se autorët e vrasjes janë larguar në këmbë nga aty.

“Në vendin e ngjarjes u thirrën teknikë mjekoligjorë, si dhe një qen i specializuar i kërkimit që mund të gjejë gjurmë të armëve. Policia është informuar se një ose më shumë autorë janë larguar nga vendi i ngjarjes në këmbë”, shkruajnë mediat suedeze.

25-vjeçari nga Mitrovica kishte punuar në kompaninë e sigurimeve Avarn, por në kohën kur u qëllua për vdekje, nuk ishte në detyrë.

Këtë e kishte konfirmuar për autoritetet suedeze, David Larsson, drejtor i kompanisë në të cilën punonte B.A.

“Është e vërtetë që një punonjës i yni u qëllua mbrëmë. Me sa dimë, dhe gjykojmë, nuk ka asnjë lidhje me rolin e tij profesional. Nëse ai ishte në vendin e gabuar në kohën e gabuar ose çfarë ndodhi, policia mund të hetojë. Ne presim atë që thotë policia, dhe pastaj të kujdesemi për të afërmit dhe kolegët. Sigurisht, është një ngjarje tronditëse”, ka thënë Larsson.

05/05/2020 14:32

Tjetër rast pozitiv me koronavirus te skuadrat gjermane