Lajme

Detaje ekskluzive nga takimet Albin Kurti- Isa Mustafa: Ky është “Propozimi Ideal” i VV-së për presidentin. LDK s’tërhiqet dhe pikë

12/14/2019 21:04
nga:Gazeta Blic

Edhe pse janë zhvilluar disa takime ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, duket se palët ende janë larg arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Burime të Gazetës Blic të afërta me këto takime kanë bërë të ditur se posti i presidentit është ai i cili në fakt e ka bllokuar tërë procesin e arritjes së marrëveshjes ndërmjet VV-së e LDK-së.

Sipas këtyre burimeve derisa LDK po insiston se posti i presidentit u takon atyre, madje duke mos lëvizur për asnjë moment nga ky pozicion, Vetëvendosje në anën tjetër ka dalë me propozimin e saj ideal.

”Albin Kurti dhe Vetëvendosje duke kundërshtuar me çdo kusht që posti i presidentit t’i takoj LDK-së, kanë propozuar një president jashtë partiak. Ata kanë propozuar që president të vijë dikush nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, ose nga shoqëria civile, përfshirë individë që mund të kenë punuar edhe në shërbimin diplomatik”, kanë theksuar këto burime të afërta me takimet e dy liderëve.

Sipas këtyre burimeve, Albin Kurti ka insistuar se ata nuk kanë ndonjë emër konkret për këtë post, por që sipas tij, shefi i shtetit duhet ta ketë këtë “background”.

Përpos këtij “Propozimi Ideal”, që posti i presidentit t’i takoj dikujt jashtëpartiak, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar kompensim për kryetarin e Kuvendit, i cili sipas Kushtetutës i takon VV-së, por që po ia japin LDK-së.

Sipas burimeve mësohet se Vetëvendosje në takimin e djeshëm Mustafa- Kurti, ka kërkuar dy nënkryetarë të Kuvendit për vete, derisa postin e kryeparlamentarit ta marrë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Këto burime saktësojnë se për LDK-në nuk do të jetë problem posti i nënkryetarëve, por ai i presidentit.

“Posti i nënkryetarëve do të jetë lehtë i tejkalueshëm, por problem do të jetë ai i presidentit”, tha ky burim.

Ndërkohë, këto burime thonë se në takimet e fundit nuk u diskutua fare për postet ministrore, ngase çështja k ngecur tek posti i presidentit.

Takimi i tretë radhazi i cili përfundoi para disa orësh, rezultoi i pa suksesshëm.

Para mediave kanë dalë Glauk Konjufca nga VV dhe Avdullah Hoti nga LDK, të cilët shumë shkurt, thanë s’e s’ka asgjë të re dhe marrëveshja s’është arritur.

“Mund t’ju them se sonte s’ka marrëveshje”, tha shkurt Hoti.

Derisa Konjufca, tha se “nuk ka marrëveshje, në ditët në vijim priten prapë takime”.

 

Përfundon takimi VV-LDK, s’ka marrëveshje

Para këtij takimi dy partitë mblodhën organet drejtuese.

LDK siç merr vesh Gazeta Blic, nuk do të tërhiqet për postin e presidentit.

”Isa Mustafa e ka marrë edhe mbështetjen e Kryesisë në kërkesën që posti i presidentit t’i takoj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryetari i partisë ka thënë se ata nuk do të tërhiqen nga ky post edhe me kushtin që vendi do të shkoj në zgjedhje. Ka pasur një mbështetje unanime për këtë qëndrim të Isa Mustfës”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Ky burim brenda mbledhjes së Kryesisë së sotme ka cituar Isa Mustafën ku ka thënë se postin e presidentit nuk po e kërkon për vete, por që ai duhet t’i takoj LDK-së.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së partisë ka thënë se janë unik në qëndrime, ndërkohë sa i përket mundësisë së arritjes se një koalicioni për bashkëqeverisje, ka thënë se është e nevojshme që palët të bëjnë kompromise.

“Ne jemi unik në qëndrime. Kemi përafrime me VV-në. Takimet do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjes. Do të vazhdojnë negociatat deri në arritjen e një koalicioni për bashkëqeverisje. Nuk kemi barrikedime. Jemi duke biseduar që së bashku të arrijmë deri në një marrëveshje”, ka thënë Mustafa.

Se a do të këtë marrëveshje sot në takimin e pasdites mes dy liderëve, Mustafa ka thënë që kjo mbetet të shihet.

Mustafa ka thënë se për arritjen e një marrëveshje duhet që palët të bëjnë kompromise.

“Ne jemi duke ndërtuar mirëbesim me VV-në. Gjithë temat do të diskutohen në takimin e radhës. Pjesë e marrëveshjes është që të gjitha palët të bëjnë kompromise. Pra diskutimet do të vazhdojnë në tavolinën e negociatave”, ka thënë ndër të tjera Mustafa.

LDK nuk tërhiqet për asnjë “milimetër”

08/10/2020 15:54

Albin Kurti u shkruan letër të hapur ambasadorëve: Na ndihmoni, sepse jemi në gjendje të rëndë