Lajme

Derisa VV e LDK në nivel qendror assesi të merren vesh, Quni e Haskuka vijnë me një “mesazh”

01/15/2020 11:09
nga:Gazeta Blic

Edhe pse drejtuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje nuk po merren vesh për bashkëqeverisje, dy drejtuesit e këtyre partive në Prizren kanë publikuar së bashku një fotografi.

Ndonëse në mbishkrimin e fotografisë nuk është përmendur fare koalicioni në nivel qendror, Quni e Haskuka kanë thënë se po punojnë për jetë më të mirë për qytetarët e Prizrenit, raporton Gazeta Blic.

Shënimi i plotë:

Në vazhdën e përpjekjeve për ta bërë sa më të mirë dhe më të besueshme qeverisjen lokale në Prizren, sot kam takuar kryetarin e komunës, Mytaher Haskuka.

Si dy partner në qeverisje, jemi zotuar që të bëjmë gjithcka që është e mundur që qytetarëve të Prizrenit tu ofrohen shërbime më të mira e më cilësore përgjatë vitit në të cilin sapo kemi hyrë.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme ka pasur përplasje ndërmjet nënkryetareve të LDK-së, Agim Veliut e Vjosa Osmanit për koalicionin me Vetëvendosjen.

Agim Veliu e kishte cilësuar se joserioze ofertën e VV-së karshi LDK-së.

“Angazhimi dhe veprimet e ditëve të fundit të VV-së nuk janë një përpjekje serioze për ndërtimin e institucioneve dhe arritjen e marrëveshjes me LDK-në për të bashkëqeverisë mbi bazën e fuqisë së votës. E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin”, ka shkruar ai.

Madje, sipas tij, kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike.

“Nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi. Kjo përpjekje e tyre sigurisht që është e dështuar dhe nuk duhet ta ndihmojë askush prej nesh”, tha ai.

Menjëherë pas kësaj deklarte ka reaguar Vjosa Osmani, duke mbështetur koalicionin me Vetëvendosjen.

Reagimi i potë i saj:

Miqësitë që LDK-ja ndërtoi me botën demokratike janë ato që përcaktuan orientimin strategjik të vendit tonë: orientim pro-perendimor e euro-atlantik.

Para rreth dy vitesh, partitë në pushtet, ato të koalicionit PAN, filluan nismën për shfuqizimin e gjykatës speciale, e cila nga partnerët tanë u quajtë ‘thikë pas shpine’, ‘rreziku më i madh në Kosovën e pasluftës’, ‘shkatërrim i miqësive’, e ‘shkelje e orientimit euro-atlantik’.

Meqë miqtë tanë ndërkombëtarë dhe kërkesat e tyre injoroheshin nga Presidenti i vendit dhe partitë në pushtet, që të gjithë u drejtuan tek zyret e LDK-së.

Sërish, ishte pikërisht LDK-ja, vendi ku do të mbrohej shtetësia, miqësitë dhe orientimi pro-perendimor i vendit.

Por këtë nuk mund ta bënim vetë. Ishte vetëm një parti që i doli në krah përpjekjeve të LDK-së atë ditë: Lëvizja Vetëvendosje. Atë mbrëmje, për këdo që e kupton politikën drejtë, është ndërtuar koalicioni i shpresës.

Atë ditë, është rikonfirmuar orientimi pro-perendimor dhe euro-atlantik i vendit tonë. Atë nuk e bëri LDK-ja vet, e as LVV-ja vetë…por e bënë LDK dhe LVV bashkë, me bekimin e miqve tanë ndërkombetarë.

Pyetja që shtrohet sot për kundërshtuesit, penguesit e bllokuesit e ndryshimit, në një kohë kur Kosova rrezikon të zbrazet e të shndërrohet në shtet të dështuar, është pikërisht e njëjtë me atë që Ambasadori i atëhershëm amerikan e bëri në zyret tona në orët e vona të mbrëmjes në prezencë të zyrtarëve të LDK e LVV në v.2017: ÇFARË DO JU DUHET PARTIA KUR NUK DO TË KETË MË KOSOVË?

09/21/2020 09:07

Qeveria merr vendim për financimin e aktiviteteve të FSK-së jashtë Kosovës