Sporti

Derbi i madh në Suharekë, Rahoveci përballet me GE Yllin

10/19/2019 09:24
nga:Ideal

Ende të revoltuar për ndeshjen e mesjavës ndaj Feronikelit, te Rahoveci duhet të bëhen gati për ndeshjen e ardhshme në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll.

Rahoveci luan të dielën (17:00) në Suharekë ndaj Golden Eagle Yllit në kuadër të xhiros së gjashtë të kampionatit të Kosovës.

Rahoveci në mesjavë luajti ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë ndaj Feronikelit. Ndonëse Feronikeli ishte vendas, ndeshja u luajt në Rahovec, por fitore befasuese shënoi skuadra nga Drenasi me rezultatin 75:72.

Por te Rahoveci vlerësojnë se arbitrat kanë ndikuar direkt në rezultat, duke mos pranuar një kosh të shënuar nga largësia në fund të ndeshjes, shkruan sot Koha Ditore.

Një gjuajtje përtej gjysmës së fushës përfundoi në kosh, por arbitrat vlerësuan se gjuajtja ishte bërë pasi kishte përfunduar ndeshja. Nëse koshi do të pranohej, ndeshja do të luhej edhe pesë minuta shtesë.

Pati një tollovi në palestër pas vendimit të arbitrave, ndërsa FBK-ja ende nuk i ka bërë të ditura vendimet për atë ndeshje. Por Rahoveci është njoftuar se ndeshja është regjistruar me rezultatin e arritur në parket, 75:72 në të mirë të Feronikelit.