Lajme

Deputetja Krasniqi kërkon që të ndahen mjete financiare për Klinikën e Pediatrisë në Mitrovicë

11/25/2021 17:11
nga:Gazeta Blic

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës, ka kritikuar Qeverinë për projektligjet për ndarjet buxhetore për vitin 2022.

Ajo tha se ndarjet buxhetore janë të mangëta dhe duhet të kthehen në plotësim-ndryshim që ndarjet financiare të bëhen konform nevojave të qytetarëve të Kosovës.

“Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022 është i mangët për shumë arsye dhe si i tillë duhet të kthehet për plotësim-ndryshim, në mënyrë që ndarja e mjeteve financiare të bëhet konform nevojave dhe kërkesave të qytetarëve. Tani po i numëroj arsyet, për të cilat duhet të plotësohet ky projektligj. E para, ndarja buxhetore që është menduar për Ministrinë e Shëndetësisë është shumë larg nevojave të kësaj fushe, marrë parasysh gjendjen në të cilën ndodhet sistemi shëndetësor në vend dhe kushtet në të cilat punohet”, tha Krasniqi.

“Askush nuk mund të imagjinoj përmirësim në këtë fushë kur dihet se janë paraparë 56.2 milionë euro më pak mjete financiare për vitin 2022 se sa kishte në projektbuxhetin e këtij viti. Pra nga mbi 117 milionë sa ishin për shëndetësi tani janë 61 milionë euro. Nuk përmirësohet gjendja në shëndetësi me deklarata, por me veprime konkrete. Siç edhe jeni të njoftuar sot punonjësit shëndetësor kanë hyrë në grevë nga orët e mëngjesit, të cilët kanë vendosur të shprehin pakënaqësitë e tyre në këtë formë për mos plotësim të kushteve dhe mirëqenies së tyre, veprim ky për të cilin ata thonë se ndihen të detyruar pasi që nuk keni vepruar konform kërkesave të tyre”, tha ajo.

“Unë shfrytëzoj rastin që ta ngris si shqetësim edhe në emër të qytetarëve të Komunës së Mitrovicës dhe stafit mjekësor të pediatrisë në këtë komunë, të cilët vazhdojnë të ofrojnë shërbime shëndetësore në kushte jashtëzakonisht të rënda, për shkak të mos funkionalizimit të Klinikës së Pediatrisë e cila tash e sa kohë ndodhet në një çështje kontekst të pazgjidhur, për shkak të mos përfundimit të obligimeve financiare ndaj kontraktorëve. Këtu ndodhet edhe kolegia nga Mitrovica znj. Arjeta Fejza e cila e din gjendjen reale atje”.

“E dyta, ulja e buxhetit në fondin e sigurimeve shëndetësore është po ashtu një vendim jo i drejtë, sepse kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë për trajtim jashtë QKUK-së janë të larta dhe në vend se të ishte paraparë një rritje ne shohim ulje të buxhetit në mbi 800 mijë euro nga sa ishte në buxhetin e këtij viti. Para se të bëni parashikime buxhetore është mirë që të merrni në konsideratë nevojat e qytetarëve, sepse në këtë formë buxheti është i mangët. Pastaj, në këtë projektligj ne shohim ulje të buxhetit edhe në institucionet tjera nga të cilat varet mirëqenia e qytetarëve të vendit, shembull në Ministri të Ekonomisë janë paraparë mbi 8 milionë euro më pak në vitin 2022 nëse krahasojmë me këtë vit, ulje është parapa edhe në Ministri të Bujqësisë në mbi 2 milionë euro më pak, në vend se të ndodhte e kundërta, për të përkrahur më tepër bujqit dhe fermerët ju planifikoni shkurtim të buxhetit që rrjedhimisht demotivon ata”, shprehet Krasniqi.

“Po ashtu ulje e madhe është vërejtur edhe në Ministri të Tregtisë në mbi 15 milionë euro më pak se sa janë këtë vit. E derisa flasim për ulje, na bie në sy rritja e të hyrave të planifikuara për zyrën e Kryeministrit, në mbi 2.5 milionë euro më shumë se sa ka aktualisht. Qysh është e mundur kjo z. Kurti? A mund të ju jepni një shpjegim qytetarëve, sepse ne e dimë kush jeni?”, shtoi ajo.

“Pastaj tjetra nuk kam pa asnjë projekt madhor që është planifiku në buxhetin e vitit të ardhshëm, për çka do të vlerësohej sot ky projektbuxhet. Të gjitha planifikimet thuajse janë për vazhdimin e projekteve që janë në gjysmë, sepse nuk keni plane konkrete për asgjë, ashtu siç edhe nuk keni prezantuar as në plan programin qeverisës”.

“Gjithashtu edhe në udhëkryqin në rrugën regjionale Prishtinë – Mitrovicë, më saktësisht në udhëkryqi i fshatit Begaj, është i ngarkuar me biznese dhe këmbësor si dhe frekuentohet nga një numër i madh i automjeteve, për çka në mungesë të semaforëve rrezikohet jeta e qytetarëve. Për këta semaforë është në dijeni edhe Ministri i Infrastrukturës pasi që e kam ngritur si shqetësim edhe më herët, andaj ju lus që ta keni parasysh si çështje dhe të përfshihet në buxhet sepse po rrezikohet jeta e qytetarëve”.