Lajme

Deputetja kosovare që e kishte fqinj Ratko Mladiqin në Prizren: Nuk më besohet çfarë ka bërë ai

07/11/2019 19:05
nga:Gazeta Blic

Deputetja boshnjake në Kuvendin e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka treguar se për gati një vit e kishte pasur fqinj kriminelin serb Ratko Mladiq në Prizren.

“Ratko Mladiq ka qenë fqinj i yni në Prizren për gati një vit, kur unë isha fëmijë në atë ndërtesën ushtarake. Pra, personat ushtarakë i kanë transferuar nga një qytet në tjetrin”.

“Nuk kam pasë kontakt asnjëherë por e kemi parë shpesh. Ai ka pasë një vajzë që më vonë ka bërë vetëvrasje”.

Rexhepi në Info Magazine tha se nuk mund t’i besohet që një njeri me të cilin kishte jetuar ka vrarë aq shumë njerëz.

“Unë po flas për periudhën e viteve 70-ta dhe 80-ta kur isha fëmijë. Por kur jeton me dikë ju nuk keni paragjykime për të dhe nuk e dini kush është dhe kur pas disa vitesh e shihni që vret aq shumë njerëz, ju nuk mund të besoni që keni jetuar me të”.

“Thjesht kjo skenë është e papranueshme”.

Rexhepi tha se boshnjakët kanë shumë urrejtje ndaj serbëve dhe se prapë në shtetin e Bosnje e Hercegovinës ata diskriminohen në vendimmarrje.

“Boshnjakët janë një popull i qetë, të përshtatshëm për bashkëjetesë. Pas luftës kam qenë disa herë në Bosnjë dhe ndjenja s’ka qenë e tillë që do të duhej shumë kohë që të flenë gjërat në vendin e vet, por ka një urrejtje të madhe ndaj serbëve”.

“Republika Srpska, një pjesë e madhe e kësaj republike është një faktor i rëndësishëm në Bosnje dhe Hercegovine në çdo vendimmarrje. Nuk mund të them që boshnjakët janë në margjina, por në institucione nuk e kanë unin e tyre, kurajon dhe as të drejta kushtetuese”.

“Marrëveshja e Deytonit e dikton se si ata të sillen, sipas saj te tri popujt kanë të drejta të barabarta dhe pas njëri-tjetri nuk mund të merret vendimi. Dhe pikërisht për këtë është për të ardhur keq që Bosnja nuk na njeh”.

“Pa marrë parasysh që anëtarët e popullit serb, boshnjakët duhet të jenë ata që duhet të marrin inciativën për të njohur Kosovën. Shqiptarët dhe boshnjakët janë të ndërlidhur përgjatë historisë. Kanë gjëra të përbashkëta, pavarësisht gjuhës – feja në një përqindje shumë të lartë është e përbashkët”.