Lajme

Deputetja e Vetëvendosjes: Kurti me Thaçin ende s’i kanë tejkaluar mosmarrëveshjet mes vete

02/19/2020 00:21
nga:Gazeta Blic

Vendimi për heqjen e taksës do të bëhet publik dhe opinioni do të njoftohet me kohë, tha Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës.

Ajo tha se qeveria e re nuk do të marrë vendime siç kanë bërë qeveritë e kaluara, kur janë marrë në mënyrë të ngutshme e të njëanshme.

“Ato na kanë shërbyer mirë që ne të veprojmë me urtësi e seriozitet për vendimet të këtilla”, tha ajo.

Sipas saj, të gjitha shtetet partnere kanë mbështetur koalicionin qeverisës dhe kanë respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor, ndërsa shtoi se deklaratat individuale mund të jenë të ndryshme për sa i përket heqjes së taksës ndaj Serbisë.

“Unë nuk di të ketë një qëndrim zyrtar, por për veprime të mëtutjeshme janë të nevojshme deklaratat zyrtare, deklarata të cilat e kufizojnë qeverinë në marrjen e vendimeve, por me sa e di unë s’ka të tilla”, u shpreh Nagavci.

Për deklarimet e Richard Grenellit për heqjen e taksës ndaj Serbisë, Nagavci tha se beson që qeveria do të jetë e vëmendshme dhe e kujdesshme dhe do të procedojë tutje duke u kujdesur që interesi i qytetarëve të Kosovës dhe integriteti territorial të jetë në radhë të parë.

“Ne duhet të insistojmë që kjo e drejtë të mos na cenohet dhe të na njihet si qëndrim i qeverisë sonë”, shtoi ajo.

Për marrëveshjet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë për hekurudhat dhe autostradat, Nagavci tha se kryeministri Kurti e ka bërë të qartë qëndrimin e qeverisë.

“Unë s’mund të jap qëndrim sepse nuk e di se çfarë është nënshkruar. Ato janë arritur pa miratimin e qeverisë Kurti e as të Kuvendit. Marrëveshjet duhet të shihet se çfarë përmbajnë, si dhe legjitimiteti i zyrtarëve që i kanë nënshkruar këto marrëveshje. Si Kuvend s’kemi asnjë njoftim zyrtar për këto marrëveshje. Me aq sa di, as Qeveria Kurti deri dje s’i ka parë ato marrëveshje. Mund të ndodhë që i kanë parë sot, por s’kam informata. Ato marrëveshje duhet të shqyrtohen me shumë vëmendje dhe kujdes”, potencoi Nagavci.

Për ftesën që Kurti ia bëri Thaçit, Nagavci tha se nuk e di nëse do të ketë ftesë të re.

Në lidhje me raportet mes Kurtit e Thaçit, Nagavci tha s’mund t’i kenë kaluar mospajtimet mes vete.

“Situata ku jemi tani është situatë reale. Duhet ta kemi të qartë se në ecjen tonë përpara duhet të ketë harmonizim me të gjithë”, tha ajo, duke shtuar se do të shqyrtohen të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë periudhës së kaluar në raport me dialogun me Serbinë.

Për shtrëngimin e duarve mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Thaçi në pritjen e organizuar nga ky i fundit për 12-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Nagavci tha se ajo ka qenë pritje shtetërore.

“E di se ka pasur mendime të ndryshme rreth kësaj, por ne si ekzekutiv e kemi bërë hapin e parë duke respektuar institucionin e presidentit”, deklaroi Nagavci.

Sipas saj, nuk kemi të bëjmë me raportet personale, por për pritje shtetërore institucionale.

“Ne respektuam të gjithë agjendën e protokollit shtetëror gjatë gjithë ditës”, u shpreh nënkryetarja e Kuvendit.

Ajo tha se efektet e para të Qeverisë Kurti duhet të shihen nga dita në ditë.

“Hapi i parë është që të gjithë të emëruarit politikë të jenë njerëz që gëzojnë respekt dhe kredibilitet te qytetarët. Në qeverinë Kurti kemi përfshirjen më të lartë në përqindje nga përfaqësueset gratë”, theksoi Nagavci, ndërsa shtoi se pritjet janë të mëdha për qeverinë Kurti, por tha se rezultatet nuk pritet të shihen menjëherë në çdo sektor.

Arbërie Nagavci tregon ku do të shkojnë paratë e kursyera nga zvogëlimi i rrogave të Qeverisë

04/04/2020 20:45

“Albin Kurti dhe kabineti i tij qeverisës nuk mund të akuzohet së paku për tri çështje”