Lajme

Deputetja e LDK-së për Gjykatën Speciale: Të dënohen kriminelët që kanë kryer krime në Kosovë!

01/08/2018 15:50
nga:Gazeta Blic

Tentativa e disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale dhe deklarata e përbashkët e faktorëve ndërkombëtarë të cilët ftojnë udhëheqësit e politikës të jenë të vetëdijshëm se çfarë hapi po ndërmarrin, po komentohet edhe sot, ani pse dështimi ndodhi para më shumë se dy javësh.

Lidhur me këtë çështje ka dhënë qëndrimin e saj edhe deputetja e Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike, Besa Gaxherri.

Ajo për Indeksonline thotë se janë të befasuar nga institucionet për këtë tentim, përkundër asaj, që s’kanë pritur asgjë të mirë nga ekzekutivi.

“Qeveria aktuale dhe presidenti nuk hezitojnë me kthy Kosovën në një situatë tepër të rrezikshme për interesa të tyre grupore dhe personale, kjo është vërtetë e papranueshme”, ka deklaruar Gaxherri.

Më tej, deputetja e LDK-së ka shtuar se zbatimi i çfarëdo Gjykate është e mirëseardhur. Ajo thotë se ata që kanë kryer krime në Kosovë duhet të përgjigjen para drejtësisë.

Sipas saj, të gjithë janë dëshmitarë se ka pasur vrasje të veprimtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Unë mendoj se çfarëdo gjykate të jetë, është e mirëseardhur dhe duhet të dënohen kriminelët që kanë kryer krime. Nuk mund të paragjykojmë se kush janë ata se nuk jemi Gjykatë as Prokurori por natyrisht se jemi dëshmitar të gjithë në Kosovë se kanë ndodhur krime sidomos në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka vrasje të veprimtarëve që ata nuk kanë pasur asnjë problem tjetër as me biznes, vetëm se kanë qenë ose kanë menduar ndryshe edhe normal që ata që kanë vra duhet të dalin para drejtësisë”, është shprehur ajo.

Besa Gaxherri- Deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës

Tutje, Gaxherri beson se zbatimi i Speciales duhet të ndodhë. Sipas saj, është një ndër marrëveshjet me ndërkombëtarët respektivisht SHBA-në dhe disa vende të BE-së.

“Normal që ne po punojmë në atë drejtim që vërtet në radhë të parë shteti i jonë të jetë kontriduar me miqtë përkrahë edhe ne t’i zbatojmë ato marrëveshje ndërkombëtare të cilat çdo shtet në botë, mendoj që kemi vet projektin bashkë me SHBA-të dhe shumë shtete të BE-së, neve na duhet me ec bashkë me ta”, ka thënë Gaxherri.

Ajo ka përmendur faktin se X persona kanë lobuar për Gjykatën Speciale. Ndërsa tani të njëjtit po flasin krejt diçka tjetër.

“Kjo të jep me kuptu shumë, fatkeqësisht shumë negative siç është situata, por unë konsideroj se pse kjo çështje nuk donë koment. Fundi i fundit pa marrë parasysh kudo që të jetë ajo gjykatë e që fatmirësisht kjo është në kuadër të juridiksionit të Kosovës sepse pikërisht me miqtë tanë ndërkombëtarë ne kemi arrit që së paku të kemi kompetenca mbi këtë Gjykatë deri diku”, ka përfunduar Gaxherri.

09/19/2018 18:14

Pas takimit me ambasadorët Isa Mustafa tregon qëndrimin e qartë të LDK-së për dialogun