Lajme

Deputeti i LDK-së, Veselit: Vonë është tash për Specialen

01/08/2018 22:02
nga:D.I

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, e ka cilësuar të vonuar reagimin e kreut të PDK-së, Kadri Veseli, në lidhje me Gjykatën Speciale.

Gashi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se për dallim nga PDK-ja, partia e tij ka qëndrim konsistent sa i përket kësaj çështjeje.

“Vonë u kujtua kryetari i PDK-së ta japë qëndrimin e partisë së tij për Gjykatën Speciale!! LDK me qëndrim konsistent”, ka shkruar ai,

Kujtojmë se sot, kreu i PDK-së, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, nga iniciativa për të shfuqizuar Ligjin për Specialen, tani është kthyer në mbrojtje të Gjykatës.

Në një shkrim autorial, të cilin Veseli thotë se e ka përgatitur me herët, por që nuk e ka botuar shkaku i festave, thekson se Gjykata Speciale do të ndodhë dhe se ky është veprim i pashmangshëm.

E quan dramatike natën e 22 dhjetorit, kur deputetë të koalicionit qeverisës nisën iniciativën për të shfuqizuar Ligjin, por edhe hedh kritika ndaj deputetëve, të cilët, sipas tij, nuk i menduan reagimet pas nismës së tyre.

Ndërsa, nuk heziton që haptas të akuzojë partitë opozitare, të cilat, sipas tij, aktruan e shfaqën mllef e revanshizëm të tipit ballkanik.

“Nevoja e ndriçimit të krimeve kundër veprimtarëve të LDK-së, si dhe krimeve tjera të kryera në Kosovë, ende të pazbuluara, është domosdoshmëri dhe interes nacional. Nuk është vetëm i LDK-së, por i gjithë Kosovës! E kam thënë në Kuvend dhe po e përsëris: PDK-ja do t’i japë përkrahje çdo veprimi, iniciative apo kërkese për t’i shkuar deri në fund këtij qëllimi, por trajtimi i tyre si kapital partiak për të marrë e mbajtur pushtet, do të mbetet një nga segmentet më të rënda të imoralitetit politik në Kosovën e pasluftës. Në anën tjetër, partia “Vetëvendosje”, aq shumë e vetëshpallur si revolucionare dhe e padëgjueshme ndaj ndërkombëtarëve, atë natë dha shembullin e një dëgjueshmërie ekstreme”, ka shkruar Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit.

Veseli ka kritikuar edhe reagimin e ambasadorëve natën e 22 dhjetorit, duke thënë se ‘Kosova nuk mund të trajtohet si shtet pa shtet’.

“Partnerët tanë perëndimorë janë pjesë pozitive e rrugëtimit drejt lirisë dhe shtetbërjes sonë. Orientimi ynë perëndimor është i plotë dhe pakushte. Ky orientim nuk është vetëm përcaktim gjeostrategjik. Është identitet kombëtar gjithashtu, prandaj nuk ka nevojë që të testohemi në këtë drejtim dhe në fragjilitetin aktual të ekzistencës sonë shtetërore. Nuk mund të trajtohet Kosova si shtet pa shtet, e as vonesat në përmbylljen e subjektivitetit ndërkombëtar, nuk mund të shndërrohen në gjendje të përhershme”.

Në fund të dhjetorit të vitit 2017 dështoi iniciativa e partitive të koalicionit për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Ndërkohë, javën e kaluar Shtetet e Quintit e paralajmëruan Kosovën që të mos vazhdojë me insistimin për të zhbërë Gjykatën Speciale, duke thënë se një hap i tillë do të ketë pasoja negative për vendin.

01/16/2018 16:01

A e dini se Vlora Dumoshi ishte gruaja e këtij këngëtari të njohur?