Lajme

Deputeti i VV-së thotë se Bitcoin dhe kriptovalutat janë e ardhmja e zhvillimit ekonomik, nuk pajtohet me ministren Rizvanolli

01/05/2022 19:20
nga:Gazeta Blic

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, nuk pajtohet me thirrjen e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave, raporton Gazeta Blic.

Bajrami po e cilëson si të ardhme të zhvillimit ekonomik, prodhimin e kriptovalutave.

Në një shkrim të tij, deputeti Alban Bajrami, thotë se të rinjtë kosovarë në këtë sektorë janë në të njejtin zhvillim me të rinjtë nëpër vende të fuqishme të botës.

Shkrimi i plotë nga deputeti i VV-së, Alban Bajrami:

Kriptovalutat si industri gjithnjë e në rritje, janë veprimtari tejet e rëndësishme për sipërmarrësit edhe në vendin tonë, që kryesisht janë të rinjtë.
Në këtë aspekt, ndalesa e vetme që duhet të bëhet është “Mining” që me të madhe është i përhapur në veri të vendit. Kjo sepse, shfrytëzimi i energjisë elektrike atje bëhet në mënyrë ilegale duke mos u paguar energjia e shpenzuar.

Por, njëjtë nuk duhet të trajtohen edhe ata që këtë veprimtari të prodhimit të kriptove e bëjnë duke qenë të kyçur në rrjet dhe që e paguajnë energjinë elektrike.

Ata assesi nuk duhet të jenë cak i ndjekjes dhe ndalimit të punës. Për më tepër, shumica e tyre për shkak të reduktimeve dhe lëvizjeve të mëdha në tension të rrymës, janë përballur edhe me prishje të pajisjeve të tyre.

Nëse ka një industri në ekonomi ku të rinjtë tanë janë në stad të njëjtë të zhvillimit me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë dhe ShBA, është teknologjia informative dhe Blockchain e ëeb 3.0. Prandaj, e kemi obligim që si institucione por edhe si shoqëri, të ndihmojmë më shumë, në mënyrë që kjo kategori e sipërmarrësve ta ndjejë mbështetjen e besimin tonë në ta, si parakushte për avancim edhe më të madh në të ardhmen.

Për fund, është i pamohueshëm fakti që ne jemi në krizë energjetike, por të prekura janë edhe vendet fqinje e edhe më gjerë.

Mirëpo, kjo nuk nënkupton se për faj të hajnisë 20-vjeçare të ish-pushteteve dhe mungesës së investimeve në sektorin e energjisë, të dënohet brezi i tanishëm që e ka dëshmuar talentin dhe potencialin e jashtëzakonshëm për zhvillim ekonomik e teknologjik.