• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Deputeti i VV-së: Sindikatat duhet të bëjnë kërkesa të arsyeshme dhe meritore

11/12/2023 22:27
nga:Gazeta Blic

Deputeti nga Vetëvendosje, Visar Korenica ka një qëndrim tjetër sa i përket “luftës” së qeverisë Kurti me sindikatat, raporton Gazeta Blic.

Ai për emisionin dokumentar “Expose” thotë se sindikatat duhet të bëjnë kërkesa të arsyeshme dhe meritore.

Deputeti Korenica, ka folur edhe për protestën e para disa ditëve të pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, ku kërkojnë paga më të dinjitetshme dhe t’u paguhet rrezikshmëria.

“Organizimi sindikal në tërësi është një instrument shumë i rëndësishëm i ndërmarrjeve publike në të gjithë vendin, aty ku Qeveria i monitoron dhe është përgjegjëse për këto ndërmarrje. Përmes organizimi sindikal punëtorët mundohen që ato të drejtat e tyre të cilat i kanë t’i ushtrojnë apo edhe të bëjnë kërkesa të drejtpërdrejta karshi institucionit ku ata angazhohen dhe sit ë tilla i bëjnë mire këtyre institucioneve por edhe vetë vendit”, vlerëson ai.

Ai thotë se sindikatat duhet të bëjnë kërkesa të arsyeshme, dhe meritore në kuptimin që siç vlerëson ai, mos t’i cënohet e drejta e asnjë punëtori.

“E në këtë rast, besoj se Qeveria do të ketë rol aktiv sa i përket angazhimit të drejtpërdrejtë dhe interesimit për zgjidhjen e situatave të ndryshme të cilat mund t’i japim drejtim pozitiv. Por edhe kur nuk janë mundësitë ligjore apo edhe administrative të ndryshme apo edhe financiare edhe ato duhet të komunikohen dhe të gjendet forma më e përshtatshme që të ndërpritet ndonjë grevë e mundshme apo ndonjë protestë e paralajmëruar dhe të ecim tutje me zhvillimin e këtyre institucioneve”, tha ai, raporton Gazeta Blic.

Korenica duke e komentuar protestën e para disa ditëve të policëve të Kosovës, të cilët kërkuan kushte më të mira e paga më të dinjitetshme, tha se FIT është njësia elitare e policisë, dhe se sipas tij, është ndër më të rëndësishmet sa i përket sigurisë së vendit tonë.

“Kemi parë se angazhimi i tyre i drejtpërdrejtë në ngjarjen e 24 shtatorit ka treguar atë vlerën madhështore dhe atë sigurinë kombëtare që e mban kjo njësi”.

Ai konsideron se kërkesat e tyre janë të drejta, por shton ai, njëkohësisht duhet të vendosim theksin në atë se sa është në limitet buxhetore dhe kjo pjesë nga ana e Qeverisë.

“Ne do të mundohemi që në të gjitha format të komunikojmë në mënyrë të drejtpërdrejtë me përfaqësuesit e kësaj njësie të policisë, por edhe njësive të tjera të cilat ndihen të anashkaluar apo ndihen se këto shtesa nuk janë meritore karshi punës të cilën ata e realizojnë çdo muaj. Në këtë drejtim konsideroj se duhet të kemi kujdes si Qeveri, kur të marrim vendime, duhet të jenë vendime të përgjegjshme dhe njëkohësisht ato vendime duhet edhe të komunikohen paraprakisht edhe me njësitet të cilat preken drejtpërdrejt nga ky ndryshim në mënyrë që mos të lejojmë befasi të tilla, të cilat nuk i bëjnë nder as vendit tonë por as përgjegjësisë së tyre”.

12/23/2024 21:12

Muriqi mund të rikthehet në Turqi?