• të fundit

  • më të shikuarat

BLIC.TV

Deputeti i LDK-së: Po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja, presim realitet të ri politik, VV do të ketë rënie

11/01/2025 15:54
nga:G B

Krenar Xhaferi, deputet i LDK-së, ka thënë se që nga fillimi kanë besuar se VV nuk i ka numrat për formimin e qeverisë dhe se Kurti e ka këtë stil të qeverisurit, me kriza.

“Që nga fillimi kemi besuar që numrat nuk ekzistojnë por ka qenë strategji e z.Kurti që të shtyjë si proces sa më shumë. Edhe gjatë konstituimit të kuvendit e kemi parë që e ka shkelur Kushtetutën mbi 48 herë por këto nuk janë të panjohura për ne, z.Kurti e ka këtë stil të të qeverisurit, krijimin e krizave dhe në kriza mbijeton politikisht”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK nuk mund të rrugëtojë bashkë me Kurtin e VV-në, derisa ai ka futur vendin në sanksione e s’ka marrëdhënie të mira me askënd.

“Kujtoj që Albin Kurti është politikan që nuk kishte relacione të mira me qeverisjen Biden, me qeverisjen Trump, dialogu strategjik u pezullua, logjika izoluese vjen nga logjika e Kurtit. Nuk ka as relacione të mira me partitë shqiptare në Maqedoni, Preshevë, Shqipëri, pra kemi një izolim komplet të Kosovës dhe kjo faturë i shkon z.Kurti. Kosova nuk ia ka për borxh këtë Albin Kurtit dhe ne nuk mund të shkojmë në një rrugë të përbashkët me të, duke pasur pasoja të mëdha. Ne kemi pasur sanksione diku 700-800 milionë euro donacione nga BE, për shkak të mendësisë politike të Kurtit dhe këto janë problemet politike që i kemi. Pra, përveç mendësisë politike, përveç ideologjisë së tij, ne kemi edhe problemin e rrugëtimit me të dhe ne normalisht që nuk mund të rrugëtojmë duke e parë këtë pesëvjeçar se nga ka shkuar Kosova”, është shprehur deputeti.

Xhaferi kujton se LDK kishte propozuar një qeveri të uniteti dhe se ajo do t’i zgjidhte disa probleme dhe më pas zgjedhjet e reja do të mbaheshin në mars.

Por, pasi kjo ide nuk kishte gjetur përkrahje, deputeti thotë se po shkohet drejt zgjedhjeve të reja.

“Problemi që ne e kemi theksuar prej fillimit për të dalë prej kësaj situate ka qenë propozimi i LDK-së si propozimi më i mirë që të formohet një qeveri e unitet, ku liderët politikë do të ishin anash kësaj qeverie dhe do të zgjidhnin problemet me të cilat ballafaqohemi për momentin. Kemi çështje ekonomike jemi buzë kolapsit ekonomik, mund të mbesim dhe pa paga me këtë logjikë të z.Kurti, kemi çështjen e diplomacisë që jemi nën sanksione, s’kemi marrëdhënie të mira me miqtë tanë dhe vjen padyshim problemi edhe i presidentes pas 4 muajsh. Nëse kjo qeveri me këtë agjendë do t’i zgjidhte këto probleme, unë kujtoj që kjo qeveri do të krijonte një stabilitet politik në Kosovë dhe me kët stabilitet, me prodhimin e zgjedhjeve të reja do të krijohej një momentum i ri politik në Kosovë. Pasi kjo nuk është përqafuar nga partitë politike, në këtë momentum ne po futemi në një qorrsokak pasi po shkojmë drejt zgjedhjeve të reja, por pa zgjidhur problemet me të cilat jemi ballafaquar. Zgjedhjet e reja normalisht që do të reflektojnë një humbje të Vetëvendosjes, rritje të partive të tjera e veçmas të LDK-së por unë prapë kujtoj se do të jemi në një momentum të vështirë politik”, ka vlerësuar ai për Gazeta Blic.

Pasi kjo nuk ka ndodhur, ai thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme duken të pashmangshme.

“Pikërisht për këtë arsye LDK ka pasur këtë propozim që të tejkalohen këto probleme dhe t’i shtyjmë zgjedhjet për 8 muaj, por pasi kjo nuk gjeti përkrahje, të shohim se çka do të sjellin zgjedhjet e reja që do të vijnë. Mendoj se do të ndodhë një realitet i ri politik por jo me ndryshime të mëdha, normalisht me një ulje të VV-së sepse kjo bllokadë me 48 numra kur nuk je në gjendje të krijosh shumicë të thjeshtë më 61 vota, atëherë nuk je në gjendje as të qeverisësh dhe mendoj se ky popull do të reflektojë në këtë pikë”, ka potencuar deputeti.

Ndërsa, sa i përket asaj se a mund të kemi institucione të reja pas zgjedhjeve, Xhaferi thotë se pret rënie të VV-së dhe realitet të ri politik, pasi s’mund të vazhdohet me bllokadë.

“Nuk po flas këtu për blloqe, po flas që një realitet i ri do të duhej të ndodhte, s’mund të shkojmë izolim pas izolimi, s’mund të ecim kur nuk kemi një front të mirë edhe me ndërkombëtarët, edhe me ekonominë dhe nuk vazhdojmë punët e mira për vendin. Në këtë pikë sa jemi, gjithsecili le të reflektojë, këtu e 5 vjet ne jemi në regres dhe pikërisht ky është problemi politik në Kosovë. Besoj se edhe në zgjedhjet e fundit LVV ka një rënie jashtëzakonisht të mirë dhe besoj që edhe në këto zgjedhje do të ketë rënie, që të edukohet politikisht dhe të mos ketë një mendësi të tillë politike në Kosovë”, ka deklaruar Krenar Xhaferi.

/Gazeta Blic/