Lajme

Deputeti i LDK-së deklarohet rreth ofertës së fundit të VV-së: Marrëveshja duhet të arrihet gjatë kësaj jave pavarësisht formulës!

01/26/2020 12:23
nga:Y I

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës Fatmir Rexhepi në një prononcim për “Gazeta Blic” ka komentuar zhvillimet e fundit sa i përket negociatave për arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse LDK-LVV.

Rexhepi nuk ka dhënë shumë detaje rreth ofertës së fundit të VV-së, që përfshinte dhënien e 7 ministrive LDK-së në këmbim të Kryeparlamentarit, por ka theksuar me bindje se marrëveshja duhet të arrihet.

Ai madje ka paralajmëruar në mënyrë të tërthortë se nesër mund të kemi zhvillime të reja dhe se gjatë kësaj jave duhet të finalizohet marrëveshja.

“Këto formula rreth marrëveshjes nuk i di dhe nuk mundem të jap vlerësim për to por ajo që mund të them është se dy palët kanë hapësira për ta zgjidh këtë problem dhe për të mos e vonuar më tej. Ma e mira që duhet të bëhej është që nesër ditë e hënë në orën 12 të mbahej një konferencë dhe të thonin u morëm vesh. Formula me të cilën do të merreshin vesh nuk ka rëndësi, e rëndësishme është që të merren vesh të dy palët. Unë besoj që ma e rëndësishme asht marrëveshja e plotë dhe do të ishte mirë që të bëhej nesër, nëse kanë mundësi, ose me e paralajmëru këtë javë, dhe javën e tjetër të mbahej Kuvendi dhe kjo do të ishte më e mira për Kosovën. Ne do të pranojmë çdo marrëveshje për të cilën do të dakordohen të dy grupet tona punuese” ka thënë Rexhepi për Gazeta Blic.

Gazeta Blic ka raportuar ditën e djeshme rreth ofertës që Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë LDK-së duke i ofruar 7 ministri në këmbim të postit të Kryeparlamentarit.

Zgjedhja e Glauk Konjufcës në krye të Kuvendit ndryshoi matematikat e koalicionit dhe bëri që marrëveshja të kthehet në pikën zero.

Gjatë kësaj Kryetari i LDK-së Isa Mustafa është shprehur se fundi i kësaj jave duhet t’i japë epilog përfundimtar kësaj çështjeje.

Data 4 shkurt është afati i fundit ligjor kur duhet të finalizohet koalicioni qeverisës në vend.

/Gazeta Blic/

Ekskluzive: Vetëvendosje me ofertë të re për LDK-në, i ofron 7 ministri për ta ruajtur kryetarin e Kuvendit