Lajme

Deputetët kërkojnë që institucionet mikrofinanciare të mos veprojnë më si OJQ

05/08/2018 14:47
nga:Gazeta Blic

Një debat i nxehtë dhe me mjaft polemika është zhvilluar ndërmjet deputetëve dhe drejtuesve të Bankës Qendrore të Kosovës dhe të atyre të Ministrisë së Financave për projektligjin për institucionet mikrofinanciare dhe për institucionet financiare jo bankare që është shqyrtuar në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa.

Deputetët kanë kërkuar që institucionet mikrofinanciare që veprojnë si OJQ të mos veprojnë më në këtë mënyrë për shkak se që nga paslufta janë institucione fitimprurëse dhe nuk paguajnë tatime për shtetin.

Fillimisht guvernatori i BQK Fehmi Mehmeti ka thënë se qëllimi i këtij projektligji është për një sistem stabil financiar.

Ai tha se BQK adreson qartë kriteret për licencimin dhe mbikëqyrjen e institucioneve mikrofinanicare dhe institucioneve financiare jo bankare.

“Objektivat me këtë projektligj janë përshtatja e legjislacionit me atë të BE dhe vetëdijesimi i këtyre institucioneve për veprimtarinë e tyre”, ka thënë Mehmeti.

“Për asnjë transformim nuk bëhet fajlë me këtë projektligj. Ky ligj i rregullon të gjitha institucionet mikrofinanca që janë të regjistruar në MTI dhe nuk i rregullon ato mikrofinanca si OJQ të regjistruara në MAP”, ka thënë guvernatori Mehmeti.

Edhe pse Mehmeti tha se BQK mbikëqyrë institucionet mikrofinanciare si OJQ, deputetja e Kuvendit të Kosovës Hykmete Bajrami tha se përfundimisht statusi i institucioneve mikrofinanciare dhe institucioneve jo bankare duhet të ndryshoj për këto institucioni fitimprurëse të cilat nuk paguajnë tatime shtetit qe 15 vjet.

Ndërsa, sipas saj, normat janë tepër të larta prej 23 deri 32 përqind, siç i ka quajtur ajo fajde.

Po ashtu ajo ka ngritur edhe çështjen e pagave të larta të menaxherëve në këto institucione deri 10 mijë euro.

Zëvëndësministri i Financave Fatmir Gashi para deputetëve ka thënë se pajtohet se këto institucione janë të regjistruara si OJQ, që sipas tij, kjo ka ndodhur që prej qeverisjes së UNMIK-ut.

“Unë pajtohem se ka pasur mjaft parregullsi për 20 vjet në këto OJQ që është ‘gjynah’ çka ka ndodhur, mirëpo duhet ligj i posaçëm për këtë, jo me projektligjin e sotëm që po diskutojmë. Ky ligj që është sot në diskutim nuk bënë zgjidhje të transformimit të OJQ-ve”, tha zëvëndësministri Gashi, për të cilën deklaratë pati kundërshtime nga deputetët.

Safete Hadërgjonaj ka thënë se është shqetësuese me donacione prej 121 milionë euro, mikrofinancat OJQ të aplikojnë norma mbi 24 përqind dhe të mos paguajnë asnjë cent shtetit.

Për këtë ajo kërkoi rregullimin me ligj për këto institucione. Kryetari i Komisionit Lumir Abdixhiku ka thënë se për këtë çështje duhet të krijohet një Grup punues dhe të shihen të metat e këtij projektligji, që sipas tij, janë të mëdha.

11/18/2019 18:44

Ndryshon “matematika” e formimit të koalicionit