Lajme

Deputetët e komuniteteve joserbe takojnë Kurtin, e kanë një kusht të ri

02/02/2020 15:40
nga:Gazeta Blic

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar sot me disa deputetë të pakicave joserbe në qytetin e Prizrenit, të cilët i kanë kërkuar t’i kenë dy ministri, prej tri sa janë ndarë për pakicat.

Ky takim u mbajt pas nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje në mes LVV dhe LDK, me qëllim që edhe partitë e pakicave të marrin pjesë në qeveri dhe ta japin kontributin e tyre edhe në Kuvendin e Kosovës.

Në takim u diskutua për qeverinë e re, sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit për shtet-ndërtim demokratik, ku u tha se tri ministri do t’i takojnë pakicave.

Kurti për KosovaPress tha se këto takime po mbahen me qëllim të grumbullimit të sa më shumë votave për qeverinë e nesërme.

“Prej 10-të deputetëve që janë të pakicave joserbe kanë krijuar një grup multientik i cili përbëhet nga gjashtë deputetë dhe pas përfundimit të bisedimeve me LDK-në dhe nënshkrimin e marrëveshjes me ta për bashkëqeverisjen tonë që duhet të votohet nesër në Kuvend, unë pa humbur kohë në këtë ditë të fundit po zhvilloj takime me deputetët e këtyre pakicave joserbe, në mënyrë që shumica jonë parlamentare që do ta vulosë ndryshimin politik të 6 tetorit të jetë sa më e madhe, pra po përpiqemi të kemi sa më shumë vota për qeverinë e nesërme. Në bazë të obligimit Kushtetues që kemi, për shkak se do të jenë gjithsej 15 ministri, tri do t’i takojnë pakicave”, u shpreh Kurti.

Deputeti nga grupi parlamentar 6 plus, Fikrim Damka, tha për KosovaPress, se gjatë këtij takimi kanë parashtruar kërkesat e veta ku shpreson që deri nesër të realizohen.

Damka tha se si grup multietnik i 6 plusit, do të kenë më së paku ministri, gjithsej tri ministri. Përkundër kësaj, ai thotë se do të japin përkrahje dhe kontribut të madh në shtet-formim.

“Sot kemi pas takim me kryeministrin Albin Kurtin, bashkë kemi qenë gjashtë deputetë si grupi multi-etnik i gjashtë plusit, i kemi diskutuar dhe parashtruar kërkesat tona. Unë besoj se sot Albini me kryesinë e vet do të diskutojë për kërkesat tona dhe do të bëjmë një marrëveshje për koalicionin e ardhshëm. Ne si grup multientik gjashtë plus do të kemi më pak ministri, do të diskutojmë për ministrin e dytë, do të shohim si do të zhvillohet deri nesër, se ju e dini që për komunitetet janë nda tri ministri. Unë mendoj se ne do të japim përkrahje të madhe të kemi ministrinë e dytë në grupin gjashtë plus”, tha Damka.

E deputeti nga grupi 6 plus, Rasim Demiri, i cili po ashtu ishte prezent në takim, tha se nga sot nuk është pjesë e gjashtë plusit, e që arsyet nuk deshi t’i bëjë publike.

Demiri tha se në këtë takim i kanë dhënë kërkesat e tyre kryeministrit të ardhshëm dhe shpreson që ato kërkesa të realizohen.

“Deri tash kemi pas një grup prej gjashtë plus, prej sot nuk jemi gjashtë plus. Unë sot kam vendosur ta lëshoj gjashtë plusin, tash për tash për momentin nuk e kemi grupin parlamentar gjashtë plus, tash i kemi vetëm pesë deputetë që kanë mbetur prej 6 plus, ne i kemi dhënë do kërkesa kryeministrit”, tha Demiri.

Ndryshe, edhe në komunën e Prizrenit, komisioni i përgjithshëm zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje, konform statutit të saj, ka nisur referendumin për marrëveshjen me LDK-në, për formimin e Qeverisë.

Ky do të jetë zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë Kurti?!

02/17/2020 10:34

Kjo është deklarata e Kurtit tek varri i presidentit Rugova