Lajme

Dënohet me 6 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë ish-drejtori i “Sallahut”, lirohet nga akuza ish-zyrtari në MI

10/03/2024 11:57
nga:Sh R

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar me 6 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë ish-drejtorin e kompanisë “Sallahu”, Naim Sallahun, ndërsa ka liruar nga akuza ish-drejtorin e Njësisë së Auditimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Begzat Musliun, të cilët akuzoheshin për korrupsion.

Aktgjykimi është shpallur të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi, Avni Syla, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata shpalli aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Sallahu, pasi që për të është provuar se ka kryer veprat penale të “Keqpërdorimit dhe mashtrimit në prokurim publik”, duke e dënuar me 6 muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë.

Sipas gjykatësit Syla, me pëlqimin e të akuzuarit Sallahu, dënimi me burg mund t’i zëvendësohet me dënim me gjobë, ku një ditë burg do t’i llogaritej me 20 euro, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

I akuzuari Sallahu është obliguar gjithashtu të paguajë shpenzimet procedurale, duke përfshirë shumën prej 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 50 euro të tjera për Fondin e Kompensimit të Viktimave të Krimit.

Ndërkaq, sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Musliu është liruar nga akuza, pasi gjykata nuk ka arritur të provojë se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në fund, gjykatësi Syla theksoi se palët e pakënaqura me këtë aktgjykim kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit brenda afatit prej 30 ditësh pas pranimit të tij.

Ndryshe, në këtë çështje penale pjesë e akuzës ka qenë edhe Fadil Shehu, i cili ngarkohej me veprën penale “Deklarim i rremë nën betim”, por për të njëjtin është veçuar procedura pasi që është arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë dhe ndaj tij ka përfunduar procedura.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Musliu në nëntor të vitit 2020 i ka tejkaluar kompetencat e tij në cilësinë e drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Infrastrukturës ashtu që ka kryer auditimin e lëndës së prokurimit vetëm me kërkesën e operatorit ekonomik “Sallahu” SH.P.K., gjë që është e ndaluar me ligj.

Aktakuza thotë se Musliu jashtë procedurave ligjore të auditimit të brendshëm ka përpiluar edhe një raport të auditimit në favor të operatorit ekonomik “Sallahu” me qëllim të krijimit të dobisë pasurore për kompaninë në fjalë.

Me këtë, i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Tutje në aktakuzë thuhet se i pandehuri tjetër, Naim Sallahu, pronar i kompanisë “Sallahu” SH.P.K., në gusht të vitit 2020 me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik, pasi kishte paraqitur dokumentacion të rrejshëm me qëllim të mashtrimit me procedura e prokurimit.

Me këtë, i akuzuari Sallahu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik” nga neni 415, par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.