Opinion

Demokracia pa popull

11/20/2017 12:28
nga:Xhemal Ahmeti

Demokracia pluraliste e lejon, por legjitimitet me ndershmëri nuk kanë ata që bëhen kryetarë qytetesh vetëm me 15% të elektoratit. Ata që thonë se gjithandej kështu qenka, duke u krahasuar me perëndimin e kanë një defekt në analizë dhe matematikë: shtetet shqiptare ende bëjnë luftën me sigurimin e ujit të pijshëm dhe dritave. Demokracia pluraliste kosovare ec drejtë dështimin eklatant – ky është realiteti!

Për të satën herë kosovarët dëshmojnë një kulturë mahnitëse të votimit. Më e rregullta e rajonit – thonë me të drejtë. Kjo lëvdatë u shkon në konto ekskluzivisht partive politike e jo qytetarëve. Të fundit nuk dalin në zgjedhje, respektivisht votimet i bëjnë njerëzit aktiv të partive, militantët dhe strukturat që animohen prej tyre materialisht apo strukturalisht. Gjersa ecuria e zgjedhjeve është për zili, kualiteti i demokracisë kosovare është për tu vajtuar. Në plotë komuna pjesëmarrja në zgjedhje tkurret vazhdimisht e në formë dramatike; standardi aktual është nga 30-38%.

Sociologët dhe politologët që thonë se ky trend është gjithandej, duke marrë si shembuj vendet perëndimore nuk analizojnë nga terreni, nuk nisen nga njohja reale e problemeve por nga interneti, ekskursionet mentale sferave ku s’janë për t’i ikur mundimit aty ku janë.

Perëndimori nuk voton nga komoditeti dhe mungesa e kauzave të interesit personal, ndërkaq shqiptari nuk voton nga arsye krejtësisht tjera. Ky vetë-sabotohet nga bindja se nuk ka alternativa përpos të shpresoj në ndonjë mrekulli, luftë, katastrofë, emigrim apo pushtim nga jashtë. Ky reflekton kështu për arsye se ka humbur çdo besim tek politika. E kur mungon ky, qytetari, aq më shumë politikën e determinojnë falangat, militantët, mediat e paguara dhe senzacionerët ekstravagantë e më shumë dëmtues rrjeteve sociale se sa ofertat e partive dhe alternativave politike. Njeriu që jeton në kushte të vështira me aq shumë probleme të pazgjidhura nuk abstenon as nga mungesa e kohës e as nga mosinteresi, por nga pashpresa.

Kjo situatë, ky trend është kallëzues për dështimin gradual, por të pandalshëm, drejt humnerës, të demokracisë kosovare. Tirania e pakicave do të shtohet edhe më.

Kësaj radhe shumica e qyteteve sërish do të udhëhiqet nga vota e 15-20% të elektoratit. Aq sa ka mundur të rekrutojë – jo me oferta konkrete por me praktika tjera semifeudale, patriarkale, korruptive e manipulative –  partia më e zhdërvjelltë nga dy kryesoret. Kështu që për 4 vitet e ardhshme:

Prishtinën do ta udhëheq kryetari me besimin e 20% të votuesve të komunës; Klina do të udhëhiqet nga njeriu me besimin e 16% të elektoratit; Gjakova do të manaxhohet sipas votës së 18% të elektoratit; fati  zhvillimor i qytetit të Prizrenit do të ndodhë sipas vullnetit të 15% të votuesve të komunës.

Ky është trendi, kualiteti i demokracisë kosovare për katër vitet që vijnë. A do të mjaftojnë zgjedhjeve të ardhshme edhe vetëm 10% apo 5% të elektoratit që dikush të bëhet kryetari i kryeqytetit “metropolitan” të Kosovës?

Me gjasat më të mëdha, – po, nëse partitë politike nuk kujdesen për ndryshimin e “kulturës” së tyre politike dhe nëse shteti nuk kujdeset për shpëtimin e demokracisë pluraliste.

2.

Pluralizmi mbetet atraktiv atëherë kur shteti bën çmos – përtej interesave partiake – dhe sponsorizon iluminimin e masave për rëndësinë e votës së tyre; atëherë kur krijohen kushtet sa më adekuate për votim; atëherë kur qytetarit nuk i hyhet në odë dhe i konsumohet edhe ai pak çaj që i ka mbetur për t’ia shpëlarë trutë, por duke ia bërë të gjitha kushtet që të votojë në mënyra të ndryshme dhe atë mundësisht  jo duke iu përzier numrat nga flaka e qiririt. As në shkolla e as në media nuk ka shpjegime bazike as për rëndësinë e votës, pluralizmin e as për mënyrën sa më efektive të votimit që mos shkojnë mijëra vota si të pavlefshme.

Pse jo?

Nuk ka pasur asnjëherë.

Ndoshta kjo as që duhej kur votat fitoheshin me eufori patriotike, të kombit, atdheut, gjuhës, racës e gjakut, por sot ja u bind çdokush se as lufta eventuale me Malin e Zi, as Kullat e as komunat serbe nuk ndihmojnë asfare për ta mashtruar shqiptarin që vuan pa nxehje se është pellazg, viking apo jashtëtokësor; ai donë kushte, jetë, dinjitet, barazi dhe drejtësi!

Nëse këto përralla magjike nuk ndezin më, ç’ofrojnë partitë atëherë? Ndonjë pan-nacionalizëm global; ringjalljen e komunizmit në formën më të virgjër të tij; zëvendësimin e konsumizmit ekcesiv me kapitalizmin e tipit të ludizmit; i thirrin religjionet në ndihmë apo do t’ia nisin të premtojnë pushime në planetin XFY 505?

Demokracia nuk funksionon as pa partitë ngase këto janë vektorët e akumulimit të interesave qytetare, prandaj nëse vazhdon ky trend do të ndodhë që në zgjedhjet e ardhshme as 20% s’dalin në zgjedhje. Apo mos ka ndonjë parti që do t’ia dal të kuptojë interesat themelore të masave dhe do të vë sërish demosin në veprim?

3.

Me një këmbë në qeveri PDK nuk do të kthehet më kurrë si fuqi e parë, e dytë. Përkundrazi do të vazhdojë rënien. Ajo nuk përmbylli rigjenerimin në aspektin e personelit në kohën e duhur. Humbi ndikimin në shtresa të caktuara gjatë “eliminimit” të disa të vjetërve. Plus i duhet një strategji që integron resurse përtej mini – uzinave partiake. Tendenca reale dhe në sajë të situatës aktuale: tkurrja do të vazhdojë; në këtë mandat pritet të marrë fund prezenca e saj në pushtet. Po u hoq e detyruar – gjatë kohë nuk do kthehet më. Si asnjë parti tjetër hierarkia e kësaj partie ka nevojë një studim të thellë të Amartya Sen-it, Keneth Minogue dhe Colin Crouch-it.

LDK përkundër sukseseve të mëdha – për shkak të përjashtimit nga pushteti – do ta pësojë një thyerje të rëndë pas këtij mandati legjislativ. Kjo ka të bëjë me ndërrimin e gjeneratave. Suprastruktura hierarkike e LDK -së me gjitha kritikat dhe akuzat që mund t’i adresohen, është garantuesja e një kontinuiteti tradicional me lidhje të forta në shtresa të ndryshme të shoqërisë postjugosllave. Këto aspak nuk (sa u përket votave) kanë qenë mallkimi, përkundrazi saherë janë mobilizuar kanë kthyer të vetët edhe pas ikjes së Ibrahim Rugovës. Me ikjen e kësaj gjenerate LDK do të pësojë thyerje, ngase të rinjtë nuk janë garantues së konsistencës së kësaj linje por më shumë katapulte të revoltës konservative (si konkurrencë e së “majtës”), janë të përkohshëm dhe të pamjaftueshëm për ta shpëtuar “historinë” e partisë më të madhe në vend.

LVV ka probleme të rënda orientimi. Është në kundërshti me shumicën e postulateve, synimeve dhe idealeve të saja ekzistenciale (programore), të cilat nuk duam t’i radhisim sërish e për të qindtin herë këtu. Rënia do të vazhdojë edhe më ortekshëm gjatë këtij mandati nëse ajo nuk korrigjohet sidomos duke evituar tumoret brenda profilit të saj dhe po që se nuk doli me strategji të re. Nëse mbetet kështu zgjedhjeve që vijnë do të jetë mbyllëse e vrimës që do ta lë pas AKR e Pacollit.

AAK – gjithmonë duke u bazuar në gjendjet aktuale për secilën – nuk ka as resurset intelektuale e as gjasat, sidomos përballë problemeve pjesë e të cilave është edhe vetë që të mëforcohet, përkundrazi tashmë është në natyrën e saj të forcohet kur dështojnë tjerat dhe të dobësohet kur forcohen tjerat; një lloj bilanceruajtëse e sistemit siç është për të mos rënë fare.

4.

Partitë janë në krizë. Asnjëra prej tyre nuk ka fuqi dhe kapacitete ta shpëtojë demokracinë pluraliste nga vetëdefaktorizimi i saj. Shteti përbëhet nga partitë dhe si i tillë s’ka si ndihmon diçka. Ky trend teposhtës i kualitetit të demokracisë megjithatë duhet të ndalet. Do ta bëjnë nga jashtë? Apo del ndonjë alternativë e re që dinë si të rimobilizojë vendin sërish politikisht? Apo ndonjëra prej këtyre partive del nga kafazi i mendjemadhësisë së vetë duke faktorizuar veten e duke detyruar edhe tjerat të dalin nga amullia dhe të bëhen sërish atraktive dhe të besueshme për qytetarët – natyrisht duke u sjellë ndryshe nga se ç’sillen me militantët e tyre?

Një gjë është e qartë: me 15-20% të elektoratit s’ka legjitimitet demokratik, jo në vendet me sisteme kaq të pakonsoliduara, nën kthetrat e korrupsionit, nepotizmit, krimit dhe vendnumërimit siç gjenden aktualisht shtetet shqiptare.