Lajme

Demhasaj tregon nëse NISMA dhe Iniciativa e Vjosa Osmanit, mund ta kalojnë pragun zgjedhor, nëse shkojnë të vetëm në zgjedhje

01/13/2021 11:54
nga:Sh Xh

Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, thotë se mundësia e vetme për NISMA-n Socialdemokrate dhe listën e Vjosa Osmanit, ka mbetur garimi në listën zgjedhore të ndonjë partie tjetër, ose të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

Demhasaj thotë se iniciativa e Vjosa Osmanit, nuk është regjistruar si parti politike, andaj nuk mund të ketë koalicion me ndonjë parti tjetër, por vetëm garim në listë zgjedhore.

“Lista Osmani me gjasë ka me garu në listë të përbashkët me Vetëvendsojen prandaj edhe nuk ka nevojë për koalicion. Nuk është madje kjo parti edhe e regjistruar zyrtarisht prandaj edhe nuk mund të ketë koalicion parazgjedhor. NISMA, pas mos arritjes së koalicionit me PDK-në, atëherë janë dy mundësi. Të garojë e vetme në zgjedhje ose t’i bashkohet PDK-së apo partisë tjetër në listë zgjedhore”, deklaroi Demhasaj për Gazeta Blic.

Demhasaj konsideron se Nisma Socialdemokrate do e ketë të vështirë të kalojë pragun si e vetme në këto zgjedhje.

Kjo sipas tij për shkak se pritet dalje më e madhe në zgjedhje, gjë që në vetvete e rritë pragun zgjedhor.

Por ai si arsye tjetër që qet problem për këtë parti e sheh largimin e figurave si Haxhi Shala i cili po e dëmton Nismën me marrjen e njerëzve nga Malisheva e Drenasi.

“Nëse i analizojmë edhe zgjedhjet e 2019, e kemi pa që NISMA dhe AKR së bashku arritën me kalu pragun. Por personalisht e shoh të vështirë që NISMA e vetme të kalojë pragun e kjo për disa arsye. E para që në këto zgjedhje do ketë dalje më të madhe në zgjedhje e kjo e rrit pragun zgjedhor. Sa më shumë që rritet pragu zgjedhor, gjasat e NISMA-s zvogëlohen me kalu atë. Edhe skena politike tani më është e qartë e në një mënyrë po dihet fituesi. Me gjasë ka me pasë rritje të votave për fituesin e zgjedhje, e për Nismën do jetë e vështirë si e vetme me kalu pragun. Shto këtu largimin e disa figurave kqyre të partisë, si Haxhi Shala që ishte pjesë e themelimit e tani në teren po arrin me dëmtu Nismën duke i marrë njerëz në Malishevë e Drenas. Do jetë e vështirë ta kalojë pragun por jo të pamundëshme, nëse punon shumë”, shtoi ai për Gazeta Blic.

E Lista Osmani sipas tij do mund të kalonte pragun nëse do kishte njerëz me kredenciale politike në listën e saj.

Ai thotë se Osmani do gabonte politikisht nëse i bashkohet Vetëvendosjes sepse mbështetësit e saj nga LDK nuk është që e mbështesin edhe VV-në.

Demhasaj e sheh si më të udhës që Osmani të garojë e vetme dhe ta sheh mbështetjen që ka.

“Nëse Lista Osmani do kishte njerëz me kredenciale politke me gjasë kishin mujt me kalu pragun. Vjosa kur  garoi në listë me LDK më 2017, kah fundi i listës arriti të marrë shumë vota. Ajo ka elektorat dhe mbështetje. Me listë të mirë do kishte mundësi me kalu pragun. Nëse Vjosa hyn me Vetëvendosjen do jetë më e gabueshme politkisht. Elektorati i LDK-së nuk e përkrahë VV-në, pasi që edhe përkrahësit e saj do mund të acaroheshin me këtë lëvizje. Ajo do bëhej deputete me VV-në por do mund ta humbiste mbështetjen e elektoratit të LDK-së. Varet nga kalkulimet e saj por mendoj që më e duhur do ishte që Vjosa të garonte vet në listë që ta sheh sa ka mbështetje dhe pastaj rrugëtimi i saj politik të orientohet se kah do e ketë shtrirjen e saj”, përfundoi Demhasaj për Gazeta Blic.

Afati i fundit për lidhjen e koalicioneve parazgjedhore ishte data 12 janar deri në ora 18:00.

Përfundon afati, këto parti aplikuan për koalicione në KQZ