Lajme

Demarkacioni ribashkon Vetëvendosjen!

02/22/2018 09:53
nga:Diamant Bajra

‘Krahu i të pakënaqurve’ të cilët kanë dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre brenda Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur të rreshtohet në krahun e njëjtë me gjithë deputetët e këtij subjekti politik, karshi marrëveshjes për demarkacion të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Të bashkuar ata do t’i thonë “jo” ratifikimit të marrëveshjes në fjalë. Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” ish-kreu i VV-së Visar Ymeri, i cili ditë më parë ka braktisur këtë subjekt politik.

“Natyrisht, siç kam qenë edhe dje në Komision edhe sot jam kundër. Sepse Kosova edhe humb territor dhe vendos një precedent të rrezikshëm pastaj të shtetndërtimit në përgjethësi”, tha Ymeri.

I pyetur për format e kundërshtimit, ai nuk ka pranur të jap detaje duke e cilësuar si të rëndësishëm faktin se vota e tyre do të jetë kundër marrëveshjes.

“Të gjithë deputetët e lëvizjes Vetëvendosje do të jenë kundër marrëveshjes. Me rëndësi jemi kundër, kaq”, u shpreh ai.

Edhe LDK-ja ka paralajmëruar se nuk do ta votojë Projektligjin për Demarkacionin me Malin e Zi nëse i bashkëngjiten dokumente të tjera “kontradiktore”.

LDK ka thënë se e mbështet Ratifikimin e Projektligjit për Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe Deklaratën politike të Presidentëve të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e cila përbëhet nga dy nene të Marrëveshjes së gushtit 2015, dhe do të votojë për këtë Projektligj vetëm me këtë përmbajtje.

“LDK-ja nuk mund të mbështesë Ratifikimin e Projektligjit, nëse të njëjtit i bashkëngjiten dokumente kontradiktore”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.

Seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion është planifikuar të mbahet nga ora 11:00.

Për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje nevojiten 80 vota të deputetëve./Gazeta Blic/

Marrëveshja “mashtruese” ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për Demarkacionin

12/14/2019 11:09

Kombëtarja e femrave shënon ngritje në ranglistën e përgjithshme