Lajme

Deliu nuk mohon zgjedhjet, thotë vetëm se nuk janë me urgjencë

05/07/2018 19:13
nga:Q F

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike, Blerta Deliu, ka thënë se subjekti që ajo përfaqëson nuk e sheh me urgjencë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Deliu këto komente i tha në Info Magazine, ndërsa shpalosi detaje për takimin e dytë të tryezave për konsensus politik të thirrur nga PDK, njofton Klan Kosova.

”Meqë e njëjta tryezë është thirrur nga LDK-ja dhe ne kemi marrë pjesë, nesër do ta kemi takimin e dytë të ftuar nga PDK-ja, nga Kryetari Kadri Veseli”, deklaroi Deliu.

”Do të diskutohet për Asociacionin e Komunave dhe ushtrinë, po ashtu edhe çështja e integrimeve europiane. Do të ketë diçka konkrete, sepse është thënë se do të diskutohet në detaje”, shtoi ajo.

Ajo tha se e konsideron si pozitive thirrjen e tryezave në tentim të arritjes së një konsensusi politik.

”E konsideroj si hap të mirë thirrjen e këtyre tryezave pasi pas krizës që e kemi kaluar jemi ulur bashkë për të diskutuar temat e mëdha”, tha Deliu.

Deliu e cilëson si të panevojshme shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

”PDK çdoherë ka thënë se nuk është me emergjencë të shkohet në zgjedhje. Ka procese të tjera që duhet punuar”, cilësoi Deliu

”Kemi pasur raste kur kemi pasur koalicion me shumicë të konsiderueshme. Është e vërtetë që nuk i kemi numrat sikurse herave të kaluara, por kjo s’do të thotë që kjo qeveri është jostabile”, cilësoi Deliu.

”Konsideroj që zgjedhjet nuk janë emergjente dhe s’duhet diskutuar kjo çështje”.

Deliu po ashtu tha se Kosovës i duhet të punojë për reformën zgjedhore.

”Para së gjithash, ne duhet ta ndërtojmë një sistem të mirë, që të punojmë më shumë për reformën zgjedhore”, përfundoi Deliu.

01/23/2019 17:40

Demhasaj: Taksa do të hiqet ndaj Serbisë, ky do të jetë efekti i saj për vendin. Marrëveshja nga dialogu e çon vendin në zgjedhje!