Opinion

Deklaratat e Vuçiqit dhe fjalimet e Millosheviçit – si shfrytëzohen tragjeditë në politikën serbe

01/20/2018 19:29
nga: Luljeta Aliu

Nëse pezullimi i dialogut nga ana e Serbisë dhe zhvillimet dramatike rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit shfrytëzohen për ndonjë kushtëzim të ri nga ana e Serbisë, pra ndonjë temë e re në procesin e dialogut, atëherë do t’i kemi edhe ne më të qarta qëndrimet dhe interesat gjeostrategjike të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Zhvillimet e fundit në lidhje me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit kanë një ngjashmëri të thellë dhe alarmante me ato të viteve të 90-ta në Kosovë. Presidenti i Serbisë, duke manipuluar me të vërtetën, ka bërë deklarata të inspiruara nga idoli dhe mentori i tij i dikurshëm, Sllobodan Millosheviq. Vuçiq, ndër thirrjeve që serbët e Kosovës mos ta lëshojnë vendin – duke aluduar se kinse qenkan të rrezikuar në Kosovë dhe po mendokan ta lëshojnë vendin – ai edhe ju tregoi qytetarëve serb të Kosovës, cila ka qenë arsyeja e vizitës së tij:

“Unë erdha për t’u treguar shqiptarëve se Serbia jo vetëm që dëshiron paqe, por do të bëjmë çmos për ta ruajtur atë dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Jam për të siguruar qëndrueshmërinë e paqes dhe sigurisë për çdo familje serbe dhe shqiptare”, kishte thënë Aleksandar Vuçiq. Nëse e kujtojmë fjalimin e Sllobodan Millosheviqit të vitit 1987, i cili e katapultoi Millosheviqin në pushtet dhe mundësoi që ky i fundit ta anulojë edhe autonominë e Kosovës, atëherë kjo deklaratë e ditëve aktuale e Vuçiqit e ka të njëjtin thelb dhe qëllim. Millosheviqi kishte thënë asokohe se „askush nuk do të guxojë të ju rrahë më juve“.

Në esencë, pak ka dallim mes këtyre dy deklarateve. Edhe asokohe inskenoheshin vrasje dhe manipulohej opinioni publik sikurse tani me rastin e vrasjes së Ivanoviqit. Në të dy periudhat qëllimi i këtyre dy liderëve serbë për kohë të gjatë të afërt me njëri-tjetrin, ka qenë dhe ka mbetur instrumentalizimi i qytetarëve serbë të Kosovës për interesa të brendshme politike dhe për shovinizmin dhe ekspanzionin serb. Sikurse Millosheviqi, po ashtu edhe Vuçiqi synojnë ta marrin Kosovën, apo të paktën ta ndajnë.

Vrasja e Ivanoviqit ende është duke u hetuar dhe nuk duhet të paragjykojmë. Mirëpo është e ditur se ndaj Oliver Ivanoviqit ka pasur pesë tentantiva për vrasje. Meqenëse Ivanoviqi kishte sfiduar politikën serbe të udhëhequr nga Vuçiqi, por edhe kishte kërkuar që strukturat mafioze serbe në Mitrovicë të izolohesh, motivet duhet të kërkohen edhe në pjesën e strukturave të instaluara nga vetë Serbia. Edhe nga vetë radhët e politikanëve serbë, si përshembull deputeti i pavarur Slavisha Ristic apo ish-deputetja Rada Trajkovic, kemi dëgjuar ku do të duhej kërkuar për vrasësin, sepse të dy e përmendin emrin e Milan Radojiçiqit. Ndërsa dihet se Vuciqi i’u kishte falënderuar Radojiçiqit për ndihmën e tij rreth zgjedhjeve të kaluara. Figura e Radojiçiqit lidhet me mafian dhe krimin e organizuar, ndërsa është krahu i djathtë dhe lideri në hije i përkrahur në Vuçiqi.
Ndërsa përgjegjësia kryesore për këtë situatë duhet të kërkohet nga vetë Bashkimi Evropian. Sikurse para luftës në ish-Jugosllavi, ashtu edhe tani BE-ja është mirë e informuar rreth tensioneve. Por ishte BE-ja ajo që neglizhoi situatën atëherë dhe tani. Ndërsa Mitrovica po mbahet e ndarë dhe është shndërruar në një konflikt të ngrirë me bekimin dhe ndihmën e BE-së. BE-ja e ka lejuar dhe ndërmjetësuar idenë e Listës Srpska në Kosovë, e cila është linja direkte e ndikimit destruktiv të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i Serbisë është ndarja e Kosovës, ndërsa qëllimi i BE-së nuk dihet. Sepse vetë BE-së i mungon vizioni dhe politika e qartë ndaj Kosovës, gjë që rezulton në një shtyrje të agjendës së saj në bazë të zhvillimeve të përditshme në Kosovë dhe Serbi, pa ndonjë strategji konkrete për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit. Në këtë aspekt, politika e BE-së në Kosovë nuk është fare më e koordinuar dhe më cilësore se vetë politika e Kosovës. Të dyjave ju mungon strategjia, burimet humane kualitative dhe përkushtimi për zgjidhjen e çështjeve jetike për Kosovën.

Shpresa e vetme në këtë kontekst është që interesat e Amerikës të mos jenë në favor të një ndarjeje të Kosovës apo mbajtjes së konfliktit të ngrirë në Mitrovicë. Me forcimin e Rusisë, Ballkani prapë është kthyer në rolin e saj si arenë historike e përballjeve mes fuqive të mëdha të lindjes dhe perëndimit.

Nëse pezullimi i dialogut nga ana e Serbisë dhe zhvillimet dramatike rreth vrasjes së Oliver Ivanoviqit shfrytëzohen për ndonjë kushtëzim të ri nga ana e Serbisë, pra ndonjë temë e re në procesin e dialogut, atëherë do t’i kemi edhe ne më të qarta qëndrimet dhe interesat gjeostrategjike të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

(autorja është duke doktoruar në Shkenca Politike në Nürnberg të Gjermanisë për temën „Marrëdhëniet transatlantike në kohën e rirendimit global – Politikat e Jashtme dhe të Sigurisë të Amerikës, Gjermanisë, Francës dhe Anglisë kundrejt Kosovës“, ka studiuar Shkencat Politike, Letërsinë Gjermane dhe të Drejtën Ndërkombëtare në Cyrih, Zvicër)