Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar dje se do të angazhohet për të zgjidhur çështjen Kosovë-Serbi, pasi në mandatin e parë ndaloi një konflikt i cili ishte, siç tha ai, pranë shpërthimit të një lufte.
Lidhur me këtë deklaratë, deputetja e Nismës, Xhevahire Izmaku, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se kjo nënkupton që proceset tona të brendshme s’mund të qëndrojnë të bllokuara dhe se kemi detyrim të krijojmë institucione funksionale pa vonesa e lojëra politike.
“Kur Presidenti i Shteteve të Bashkuara flet për ndërhyrje direkte në raportet Kosovë–Serbi, kjo do të thotë vetëm një gjë:
Proceset tona të brendshme nuk mund të qëndrojnë të bllokuara.
Kemi detyrim që të krijojmë institucione funksionale pa vonesa e lojëra politike, sepse bota nuk pret – dhe historia nuk i njeh vonesat si justifikim”, u shpreh ajo.
Sipas deputetes, duhet qeveri legjitime, nëse Kosova dëshiron të jetë faktor dhe tani kur fuqitë e mëdha kanë kthyer vëmendjen te ne, s’guxojmë të sillemi si shtet që nuk funksionon.
“Nëse Kosova dëshiron të jetë faktor, e jo vetëm subjekt i negociatave, duhet të ketë Qeveri legjitime, Kuvend funksional dhe përfaqësim të qartë politik. Në kohë kur fuqitë e mëdha ndërkombëtare rikthejnë vëmendjen tek ne, ne nuk guxojmë të sillemi si shtet që nuk funksionon nga brenda. Është koha e fundit për të vepruar me pjekuri dhe unitet”, deklaroi deputetja Izmaku./Gazeta Blic/


