Sporti

Real Madridi ndryshon emrin e stadiumit

12/27/2024 09:58
nga:Mergim Rreci

Real Madrid do të ndryshojë emrin e stadiumit të tij legjendar Santiago Bernabeu, sipas Marca.

Impianti gjigant do të mbajë vetëm mbiemrin e ish-lojtarit dhe presidentit të Merengues dhe do të quhet thjesht ‘Bernabeu’, transmeton GazetaBlic Sport.

Ndryshimet janë për arsye komerciale dhe marketingu, shpjegon botimi spanjoll, duke shtuar se procesi ka vijuar prej disa kohësh. Faqja e internetit e stadiumit quhet Bernabeu, siç është profili zyrtar në Instagram, për shembull – pa Santiago. Turneu i stadiumit me guidë quhet “Tour Bernabéu” dhe madje në miniaturën e stadiumit që klubi ofron në takimet e tij të Krishtlindjeve nuk gjendet emri i parë i ish-presidentit legjendar të Real Madridit.

Ndryshimi i emrit të stadiumit kërkon gjithashtu një imazh më modern dhe një emër më i shkurtër do të lehtësonte një marrëveshje të mundshme sponsorizimi në të ardhmen.

Ndaj, nuk përjashtohet që pas disa kohësh, shtëpia e Realit, ashtu si disa ambiente të gjigantëve të tjerë europianë, të mbajë emrin e një prej kompanive më të mëdha në botë.

Pas rinovimit të stadiumit, ai ofron edhe më shumë mundësi për evente të ndryshme, koncerte, gala, konferenca e të tjera, duke gjeneruar më shumë të ardhura për klubin.

/GazetaBlic Sport/