Nga dita e nesërme, futbollistëve do t’u shtohet edhe një “sfidë”, ajo e agjërimit.
Nga dita e nesërme fillon muaji i shenjtë i Ramazanit, ndërsa shumë futbollistë kanë vendosur që përkundër aktiviteteve të shumta të fillojnë agjërimin.
Pothuajse tek të gjitha klubet ka futbollistë, trajnerë dhe anëtarë të tyre që ndër vite kanë agjëruar, duke mos qenë kjo gjë aspak problem për aktivitetet e tyre që kanë në një sport jo të lehtë siç është futbolli.
Njëri nga futbollistët që po dhuron spektakël edhe gjatë këtij viti në futbollin kosovar është Liridon Fetahaj. Ai ka luajtur tek disa skuadra në Superligë, por në këtë edicion po luan tek Suhareka në Ligën e Parë.
Ai është mesin e futbollistëve që do të agjërojnë dhe tha se kjo nuk i paraqet ndonjë problem, kjo për faktin se ndikon besimi dhe lidhja e madhe me Zotin.
“Po, unë do të fillojë agjërimin. Personalisht nuk është që ndikon shumë në ndeshje, vetëm për ujë që trupi ka nevojë. Tek ne, ndeshjet po janë në mesditë dhe pas ndeshjes ka një ndjenjë të lodhjes së madhe. Megjithatë, me besim të fortë nuk ka ndonjë problem“, tha ai për ‘GazetaBlic Sport’.

Në mesin e yjeve nga Superliga është Meriton Korenica, futbollisti që ka përfaqësuar edhe Kosovën në ndeshjet e fundit.
Ai është poashtu në mesin e futbollistëve që agjërojnë dhe e ka dëshmuar lidhjen që ka me religjionin edhe në të kaluarën.
“Agjërimi është diçka e madhe dhe do të tentojmë që ta agjërojmë muajin e Ramazanit deri në fund. Le të shohim se si po rrjedhin gjërat, por shpresoj se do të mund të agjërojmë të gjithë”, tha fillimisht ai.
“Nuk e besoj që agjërimi na pengon dhe ndikon në formën tonë fizike. Përjashtimisht në ditët e ndeshjeve, të cilat mund t’i kompenzojmë pas përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazanit”, shtoi ai për ‘GazetaBlic Sport’.

Njëri nga futbollistët që ka përvojën e madhe në futbollin kosovar, Shkëlzen Lushtaku njihet poashtu si një agjërues i muajit të Ramazanit ndër vite.
“Kam agjëruar që prej vitesh të tëra dhe do të jem agjërueshëm edhe këtë vit. Asnjë vështirësi fizike nuk ka nga kjo gjë, vetëm që duhet të ushqehemi me gjëra kalorike që i duhen trupit, në veçanti neve si sportistë. Agjërim të lehtë e të pranueshëm për të gjithë“, deklaroi ai.

Vlen të theksohet se muaji i Ramazanit fillon nesër, ndërsa përfundon më 9 prill.
/GazetaBlic Sport/


