Sporti

Ky është vogëlushi që bëri me duar shqiponjën dykrenare para ndeshjes, Inter – Bayern Munich

09/08/2022 14:43
nga:Mergim Rreci

Inter – Bayern Munchen nuk ishte në nivelet që pritej. Megjithatë këtë sfidë e zbukuroi shqiptari i vogël që ndodhej në fushën e blertë para nisjes së takimit. Bëhet fjalë për Amar Dodën, bukuroshin dibran që kishte zbarkuar me të atin në stadiumin “San Siro”.

Teksa të gjithë lojtarët ishin rreshtuar në fushë, vogëlushi qëndronte para D’Ambrosios ku bënte me duar dhe shqiponjën dykrenare. E mrekullueshme! Me buzëqeshjen fëminore në fytyrë, Amari i vogël i dha bukuri dhe hijeshi kësaj sfide. Video e tij është bërë virale në rrjetet sociale pikërisht prej gjestit emocionues.

Por, për t’ia shtuar më shumë bukurinë fakt mbresëlënës është lidhja që ka vogëlushi me një nga njerëzit që i shërben çdo ditë pa pushim futbollit shqiptar, veçanërisht klubit të Tiranës. Ai është nipi i fotografit të njohur, Izmir Dodës.

Siç duket lidhja me futbollin e kësaj familje është e madhe. Nëse Izmiri ka provuar të zbresë në fushë për të provuar emocionet e finales së Conference League përmes aparatit të tij, Amari bëri “debutimin” e parë në fushë në një ndeshje si Inter – Bayern Munchen.