Drejtori sportiv i Al Nassr, Fernando Hierro, dha një konferencë për shtyp pas përfundimit të sezonit, dhe logjikisht tema më e rëndësishme ishte kontrata e superyllit portugez Cristiano Ronaldo, e cila skadon pas pak ditësh.
Hierro deklaroi se të dy palët janë në bisedime për të zgjatur marrëveshjen, duke i dhënë fund kështu spekulimeve rreth të ardhmes së Cristianos.
“Jemi në diskutime dhe po vazhdojmë negociatat për të rinovuar kontratën e Cristianos. Shpresojmë vërtet që ai të vazhdojë me ne këtu në Al Nassr. Prania e Ronaldos ka qenë një projekt kombëtar që nga fillimi. Ronaldo është një fenomen i madh në historinë e futbollit, ai ndihmoi Ligën Saudite të rritet”, tha Hierro.
“Çdo ditë një klub i ri shfaqet në media, me 30 klube të interesuara për Ronaldon… por shpresojmë që ai të qëndrojë”, komentoi gjithashtu drejtori sportiv i Al Nassr.
/GazetaBlic Sport/


