Lajme

DASH: Shqipëria më e korruptuara në Ballkan

07/12/2019 06:54
nga:A. R.

Shqipëria është shteti më i korruptuar në Ballkan dhe një vend i vështirë për të bërë biznes.

Në këtë prizëm përshkruhet Shqipëria në një raport të fundit të DASH mbi Klimën e Biznesit. Departamenti Amerikan i Shtetit e vë theksin tek gjykatat e korruptuara, mungesa e transparencës dhe zbatimi i dobët i kontratave.

Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e përvitshëm për Klimën e të bërit biznes në botë ka vijuar të përsërisë vërejtje të ashpra për Shqipërinë, duke e cilësuar si shtetin më të korruptuar në Evropë dhe Ballkan si dhe një vend ku është e vështirë të zhvillosh aktivitete të karakterit ekonomik.

Duke cituar investitorët e huaj dhe burime të tjera informacioni, DASH shkruan se probleme mbeten korrupsioni, veçanërisht në gjyqësor, mungesa e transparencës me tenderat publikë si dhe niveli i ulët i zbatimit të kontratave.

Raporti përmend pasuritë e pajustifikuara të gjyqtarëve dhe Reformën në Drejtësi, por pavarësisht largimit të tyre nga sistemi, Shqipëria mbetet problematike për të bërë biznes.

Në dokumentin e publikuar, Departamenti i Shtetit, nënvizon se vendi ynë ka të gjitha hapësirat e nevojshme ligjore për të mbështetur investimet e huaja, por zbatimi në tërësi i tyre është në nivele jot ë kënaqshme.