Lajme

Dardan Gashi: LDK dhe Isa Mustafa në linjë me Vuçiqin për heqjen e taksës

01/11/2019 19:19
nga:Gazeta Blic

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa edhe njëherë nuk ka hezituar të hedhë kritika të panumërta ndaj Qeverisë Haradinaj për ‘keqqeverisje’. Në veçanti, Mustafa ka theksuar masën 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnjë-Hercegovinës, duke e quajtur si ‘populiste’. Por këtë vendim po e mban fortë kryeministri Ramush Haradinaj.

Zëvendëkryeministrin dhe ministrin e Diasporës, Dardan Gashi ka thënë për “Periskopi”-in se po habitet me këto qëndrime të LDK-së, që sipas tij po dalin të jenë në një vijë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

‘’Janë deklarata të habitshme dhe në të vërtetë nuk e dijmë çka është t’u ndodh me LDK’në. Pra në njërën anë refuzojnë dialogun, në anën tjetër kërkojnë heqjen e taksës 100%. Pra janë në një vijë me Presidentin Vuçiq i cili kërkon heqjen e taksës si kusht për të filluar negociatat’’, ka thënë Gashi për Periskopin.

Tutje ai ka theksuar se presin nga LDK-ja që si për çdo temë tjetër të rëndësishme për vendin, të ofrojnë mocion në Kuvend edhe rreth taksës 100%.

‘Unë pres tash nga LDK të procedojnë këtë ide edhe në Kuvend. Të hapet debat në sesionin pranveror. Dhe të LDK të ofrojë mocion, siç ka ofruar mocione të panumërta për çështje të ndryshme. Pra të ofrojë një mocion për tërheqjen e taksës dhe shpresoj të shoh që edhe VV’ja t’i bashkëngjitet për këtë ide që të hiqet taksa ndaj Republikës së Serbisë. Pra nëse është ideja e LDK’së që të hiqet, duhet të veprojnë si parti parlamentare dhe ta shqyrtojnë në Kuvend. Pra pres që LDK’ja, përmes Avdullah Hotit të na ofrojë një mocion në Kuvend. Të shohim se si do t’i përgjigjen deputetët në Kuvend kësaj ideje ‘, thotë Gashi.

Zëvendëskryeministri ka komentuar edhe deklaratën e Isa Mustafës se nuk pendohet për zgjedhjen e Thaçit President, duke thënë se LDK gjendet në amulli të madhe.

‘’Unë habitem edhe për këtë deklaratë sepse LDK në vazhdimësi ka kontestuar legjitimitetin e Presidentit Hashim Thaçi. Edhe legjitimitetin e tij sa i përket dialogut. Pra janë deklarata të habitshme dhe në të vërtetë nuk e dijmë çka është t’u ndodh me LDK’në. Isa Mustafa ka qenë promotori për zgjedhjen e Thaçit e pastaj e ka kritikuar vazhdimisht. E ka mohuar legjitimitetin . Pra kjo tash veç tregon një amulli të madhe në të cilën gjendet LDK’ja dhe që e ka humbur rrugën’’, thotë tutje Gashi.

Lidhja Demokratike e Kosovës edhe një herë ka theksuar se nuk do të jenë pjesë e dialogut, por që do të kontribuojnë në forma të ndryshme.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës pret që LDK të reflektojë dhe të bëhet pjesë e dialogut.

‘’ LDK është përmbledhë kohët e fundit dhe nëse do që të bëhet pjesë e dialogut, natyrisht që ne e mirëpresim’’, thotë Dardan Gashi.

“Ne konsiderojmë se kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi. Kjo Qeveri na ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet tona me BE-në. Ne e kemi vlerësuar letrën e presidentit Trump. Për neve është e pakuptimtë që në kohën kur Kosova ka marr këtë letër që të përmbahet nga veprimet, Qeveria e Kosovës i shton masat 100 përqind, në vend që të ketë konsideratë për një letër që na vjen nga një shtet që varet edhe e ardhmja e shtetit të Kosovës”, ka thënë sot pasdite Isa Mustafa.