Sporti

Dallku: Nëse luhet pastër deri në fund, Prishtina do të shpallet kampion

07/07/2020 08:20
nga:Lorik J

Trajneri i FC Prishtinës, Armend Dallku është i ftuari i sotëm në emisionin “Rock n’Roll Football”, i cili transmetohet në Radio Prishtina dhe TV Zëri.

FC Prishtina e cila drejtohet nga ish-reprezentuesi i Shqipërisë, Dallku, renditet në vendin e dytë në tabelë me 57 pikë të tubuara pas 28 javësh.

Së bashku me Dritën, Ballkanin dhe Gjilanin, FC Prishtina është duke luftuar për titullin kampion këtë edicion.

Dallku i ka premtuar tifozët e FC Prishtinës se në rast se gjithçka “luhet brenda fushës”, skuadra e tij do të dalë kampione.

“Nëse luhet futbolli vetëm brenda vijave të fushës, iu premtoj se nuk ka skuadër që e ndalë skuadrën time. Ne jemi vetëm për futboll të pastër, por ju i dini gjërat negative që ndodhin. Ne iu premtojmë të gjithëve se FC Prishtina do të jetë kampion”, u shpreh Dallku në “Rock n’Roll Football”.

“Kemi disa pikëpyetje për arbitrimit, nuk na u dhanë një penallti në Llap si dhe ndaj Drenicës, por ne jemi klub i pastër si loti dhe nuk kërkojmë asgjë të pamerituar”, tregon më tej Dallku.

Tutje, për ndeshjen e radhës ndaj Gjilanit, Dallku tha: “Gjilani është skuadër e vështirë, dhe ata kanë përvojë të madhe. Por, ne shkojmë për fitore dhe si skuadër shkojmë për t’i parandaluar këto rreziqe”.

“Nesër e kemi stërvitjen e fundit para ndeshjes dhe iu premtoj rezultat pozitiv”, theksoi Dallku.

Tutje, ish-reprezentuesi shqiptar ka folur për kushtet e këqija në futbollin kosovar dhe krahasimin me rajonin.

“E mira të mirës është që tifozët të jenë në stadium nëse përmbushen kushtet, por infrastruktura nuk e lejon një gjë të tillë, përveç stadiumi i FC Prishtinës. Stadiumet tjera nuk i kanë as tauletet dhe i shoh futbollistët e mi që nganjëherë iu vjen me vjellë”, deklaroi vushtrriasi.

“Sa i përket krahasimit me rajonin, jemi larg. Por, edhe në Shqipëri janë kushtet të mira. Fushat atje janë ideale ku të jepet mundësi për të luajtur futboll”, përfundoi ai.