Lajme

“Daja” i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale

10/21/2019 17:14
nga:Gazeta Blic

Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim ish komandantin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Azem Syla, njofton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka konfirmuar avokati i tij, Besnik Berisha i cili ka bërë të ditur se klienti i tij e ka pranuar sot ftesën me shkrim nga përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara.

Azem Syla është nga fshati Kishnarekë e Drenasit. Ai për një kohë ka qenë deputet i Partisë Demokratike të Kosovës. Më herët ka qenë i burgosur politik ndërsa gjatë luftës së UÇK-së ishte emëruar si komandant i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe njihej me nofkën “Daja”.

Gjykata Speciale kohëve të fundit ka intensifikuar punën në kuadër të misionit të saj për gjykimin e krimeve të supozuara që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Më herët, gjatë ditës u bë e ditur se ftesë nga specialja ka marr edhe ish-eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari. 

Vetëm gjatë javës së kaluar, tetë ish komandantë dhe pjesëtarë të UÇK-së kanë bërë të ditur se janë ftuar për intervistim nga Specialja, ndërkohë që deri më tash, numri i përgjithshëm i të ftuarve për intervistim nga kjo gjykatë ka arritur mbi 100.