Lajme

Daçiq assesi të pajtohet se Kosova është shtet

01/07/2018 07:21
nga:Gazeta Blic

Serbinë këtë vit e presin bisedime të vështira për zgjidhje e përhershme me Kosovën, ka thënë shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

Këtë qëndrim ai e tha “duke pasur parasysh se duhet të ruajmë interesat shtetërore dhe nacionale në kushte kur ka presione të mëdha” për “ngadalësim të rrugës sonë evropiane.

Në një intervistë për të përditshmen serbe “Blic”, Daçiq tha se, fatkeqësisht, “e tërë historia na kushtëzohet me Kosovën dhe gjithmonë është një luftë kur hapen kapituj”, transmeton Koha.net.

Fuqitë e mëdha perëndimore ministri serb nuk i cilëson mike, por partnerë, por nuk beson se është e pamundur që me ta të gjendet një interes i përbashkët.
Sipas fjalëve të tij, Serbia duhet të bashkëpunojë me të gjithë, por, thotë se ekziston dallim i madh në raport me miqtë dhe me ata që gjithmonë klasifikohen në grupin e miqve të Kosovës.

I pyetur se pse kjo është e çuditshme, sepse qëndrimi i tyre [shteteve mike të Kosovës], e në veçanti ai i SHBA-së, nuk është i panjohur, Daçiq thekson se për këtë arsye nuk mund të thotë se janë miq, por as edhe armiq.

“Për herë të parë në histori ndodh që këto vende të mos kenë interesa të përbashkëta me popullin serb gjë që është e çuditshme”, thotë ai.

Daçiq thotë se është i nevojshëm të gjendet ai interes i përbashkët, sepse, sipas tij, nëse nuk respektohen interesat serbe, nuk do të ketë as zgjidhje të përhershme për Kosovën.

“Nëse dikush mendon se do të pajtohemi për një veprim të njëanshëm i cili veçse është arritur, mendoj se këto janë pritje krejtësisht joreale”, shprehet ai.
Daçiq mendon se mes serbëve dhe shqiptarëve duhet gjendur kompromisi.
Ai shton se “ne jemi të gatshëm për këtë, por nuk jemi të gatshëm që dikush të pret nga ne të pranojmë atë që është arritur njëanshëm, siç është pavarësia e vetëshpallur e Kosovës dhe Metohisë”.

“Në shkurt bëhen 10 vjet nga shpallja e atij akti të njëanshëm. E çka ka ndodh me atë pavarësi të Kosovës? A ia kanë dalë të arrijnë diçka me të? As kanë arritur e as do arrijnë. Mes tjerash, edhe duke iu falënderuar miqve tanë”, thotë Daçiq.
Sipas tij, është joreale të pritet që në fund të këtij viti të pritet zgjidhja e çështjes së Kosovës.

“Kush e ka përmendur 2018-shin si pikë kthese? Këto janë përralla”, tha ai, duke shtuar se mendon që as qytetarët e Kosovës nuk u besojnë më qeveritarëve atje.
Prishtinës i ka bërë ftesë t’i thërret mendjes dhe e ka porositur:

“Kuptojeni se nuk ka zgjidhje pa marrëveshje me Beogradin, ndaj të cilit askush nuk mund të bëjë presion, që të pajtohet me një zgjidhje e cila nuk përkon me interesat serbe. Nëse mendojnë ndryshe, ata nuk e njohin popullin serb”, theksoi Daçiq, transmeton Koha.net.

I pyetur se cili është propozimi serb i zgjidhjes së problemit me Kosovën, Daçiq ka thënë se dialogun e brendshëm për Kosovën e ka nisur presidenti serb Aleksandar Vuçiq, dhe se mendimi i tij personal është se duhet gjetur një zgjidhje praktike e cila do të eliminonte konfliktin mes dy popujve.

“Nuk e di, por duhet gjetur. Nëse jemi të pajtimit, nuk ka aspak rëndësi se kush nga organet shtetërore e formalizon atë”, ka përfunduar Daçiq.

12/12/2018 20:06

A do të jap dorëheqje Dhurata Hoxha, pas dështimit për liberalizim ?