Tri fitore (të gjitha me përmbysje) dhe një barazim në katër ndeshjet e para si trajner i Milanit. Rruga e Sergio Conceiçao-s me kuqezinjtë tashmë ka sjellë një Superkupë Italiane, por objektivi i trajnerit portugez është të ngjitet në renditje me “Djallin”.
Pas debutimit në Arabinë Saudite, kundërshtari i radhës sërish është Juventusi i Thiago Motta-s: “Do të jetë një sfidë e balancuar sepse jemi dy skuadra të forta,” komentoi ai në konferencë për shtypin.
“Në krahasim me atë ndeshje, do të më pëlqente të shihja një Milan më solid, por gjithashtu agresiv në fazën ofensive.
Po e them sepse gjithmonë e gjej formacionin tim në gazeta… Pulisic nuk do të jetë, nuk dua të rrezikoj. Bennacer do të luajë nga fillimi me Fofana-në.”
Çfarë ndeshjeje prisni kundër Juventusit?
Janë gjithmonë sfida të balancuara sepse përballen dy skuadra të forta, me lojtarë interesantë. Çdo ndeshje është ndryshe dhe përballemi me një skuadër që bëri mirë kundër Atalantës në ndeshjen e fundit.
Po punojmë mbi detajet që duhet të përmirësojmë, pasi janë shumë të rëndësishme. Na presin sfida të mëdha, por duhet të jemi gati për të arritur objektivat tana.”
Si është gjendja e Pulisic? A është Camarda gati për skuadrën e parë?
Camarda ka shumë punë përpara tij, por ka një bazë të rëndësishme sepse ka dëshirë dhe talent. Pulisic nuk do të jetë, ende ka shqetësime dhe nuk duam të përkeqësojmë situatën.
Si e përjetoni dy javët e fundit të merkatos?
Nuk më pëlqen kjo periudhë e merkatos, është shumë e gjatë dhe krijon emocione negative te lojtarët. Duhet të rregullojmë disa situata për të balancuar grupin, por nuk është prioritet për mua tani.
Po flas me drejtuesit dhe jemi në një mendim për nevojat tona, edhe pse e dimë se nuk është e lehtë të blihen lojtarë që mund të rrisin cilësinë e grupit.”
Cili është dëshira juaj e vetme në merkato?
Nëse do të kisha një dëshirë, ajo do të ishte një fitore kundër Juventusit. Për mua mendimi është vetëm tek kjo ndeshje.
A e keni gjetur formulën që Theo dhe Leao të kenë vazhdimësi?
Gjithçka lidhet gjithmonë me stërvitjet, me mënyrën se si stërviten çdo ditë. Është e vështirë sepse këtu luhet çdo tri ditë, por kam folur edhe me ta.
Leao ka shifra të jashtëzakonshme në testet fizike dhe i kam thënë që mund të bëjë shumë më tepër, duke punuar mbi këtë aspekt të lojës; nëse e bën, shifrat e tij do të rriten dhe nuk dua që ai të kënaqet me kaq.
I kam treguar mbi çfarë duhet të përmirësohet, por puna bëhet në fushë dhe ne kemi shumë pak kohë mes një ndeshjeje dhe tjetrës.